I iku dënimit me burg, kthehet në Kosovë dhe bëhet inspektor

I iku dënimit me burg, kthehet në Kosovë dhe bëhet inspektor

Kronika May 26, 2019 - 11:09
Lexoni detajet

Dënimi i shqiptuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, nuk e ka penguar ish-drejtorin e Ramadan Mujës që të punësohet si Inspektor i Punës në Ministrinë e Punës. Nysret Durmishi ishte dënuar para tri vitesh me tetë muaj burg efektiv nga Gjykata Themelore në Prizren, por që nuk e kishte vuajtur dënimin, meqenëse ishte arratisur jashtë vendit.

Në institucionin ku është punësuar deklarojnë se Komisioni nuk ka pasur informata se ai ka qenë i dënuar, dhe se nëse vërtetohet kjo, atëherë do të ndërmarrin masa ligjore.

Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale e kanë konfirmuar për Gazetën Express se Nysret Durmishi është emëruar si Inspektor i Punës. Por, deklarojnë se Komisioni Përzgjedhës nuk ka pasur asnjë informacion se Durmishi ka qenë i dënuar për keqpërdorim të pozitës së zyrtare.

“Komisioni Përzgjedhës për Shërbimin Civil për pozitën në fjalë nuk ka pasur asnjë informacion për pretendimet që z. Nysret Durmishi ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor për keqpërdorim të pozitës zyrtare”, kanë thënë nga Ministria e Punës.

Në këtë institucion thonë se nëse vërtetohet se Durmishi ka qenë i dënuar do të ndërmarrin masa ligjore.

“Ne do të verifikojmë këtë çështje dhe do të marrim informata për këto pretendime. Nëse vërtetohet që z. Durmishi ka qenë i dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe konstatohet që kjo çështje paraqet pengesa ligjore për ushtrimin e punës si Inspektor i Punës, ne do të ndërmarrim të gjitha masat ligjore”, thuhet në përgjigjet e MPMS’së drejtuar Express.

Ndryshe, ish-drejtori i Inspektoratit në Prizren, Nysret Durmishi ishte dënuar me tetë muaj burg efektiv nga Gjykata Themelore në Prizren. Ai ishte dënuar për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj e kishte konfirmuar dënimin e Durmishit.

“Pala kundër vendimit të Gjykatës Themelore të Prizrenit ka bërë ankesë në Gjykatën e Shkallës së Dytë, gjegjësisht në Gjykatën e Apelit, dhe e njëjta e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit”, kishte thënë Kicaj.

Sipas saj, me kërkesën e palës lënda, lënda ishte dërguar në Gjykatën Supreme për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Por, Durmishi nuk ishte dërguar në vuajtje të dënimit me burg, në bazë të vendimit të gjyqësorit. Gjithë kjo meqenëse pas shqiptimit të dënimit, ai ishte arratisur nga vendi.

Nysret Durmishi ka qenë drejtor i Inspektoratit në mandatin e parë të Qeverisë së Ramadan Mujës.

Ai është dënuar për shkak të disa mbindërtimeve, që kanë ndodhur në kohën sa ka qenë drejtor.

Kryeprokurori Sylë Hoxha, në kohën kur është ngritur aktakuza, pati sqaruar se ish-drejtori, Durmishi dhe dy punonjësit e Drejtorisë së Inspektorateve, qenë akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autorizimit, për shkak të disa mbindërtimeve.

“Si persona përgjegjës në Drejtorinë e Inspektorateve kanë pasë për obligim që t’i përcjellin tejkalimet e shkeljet urbanistike. Për shkak të dyshimit të bazuar se nuk e kanë bërë këtë ndaj tyre është ngritur aktakuza dhe Gjykata pas shqyrtimit gjyqësor ka shpallur aktgjykimin”, pati deklaruar Hoxha.

Inspektorët e ndërtimit në Komunën e Prizrenit dhe drejtues të këtij dikasteri, vite më parë, i kanë mbyllur sytë përballë tejkalimeve pa leje në ndërtimin e objekteve shumëbanesore, gjë që është konstatuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit, në tri aktgjykime të ndara.

Kësisoj janë shqiptuar tri aktgjykime fajësuese ndaj një punonjësi, një ish-punonjësi dhe një ish-drejtuesi të Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit për shpërdorim të detyrës zyrtare gjatë mbikëqyrjes inspektuese në objekte shumëbanesore në lagje të ndryshme të qytetit. Në dy rastet e para punonjësi dhe ish-punonjësi i DI-së patën pranuar fajësinë dhe qenë gjobitur me nga 4 mijë euro.

Ndërsa në aktgjykimin ndaj Nysret Durmishit, Gjykata Themelore e Prizrenit pat theksuar se ai ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, sepse si drejtor i Inspektorateve gjatë viteve 2009-2010 nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që të përfitojë personi tjetër dobi pasurore dhe të shkelen të drejtat e personit tjetër, pasi që nuk i ka ushtruar autorizimet e tij rreth ndalimit të kryerjes së punëve ndërtimore pa leje ndërtimi, në një kompleks banesor në rrugën “Jeronim de Rada”, ashtu që investitori ndërton katin e tetë dhe të nëntë në kundërshtim me lejen ndërtimore të lëshuar nga DUPH-ja.