Prokuroria Speciale: Kërcënuesi përmendi Gjykatën Speciale, nuk ishte direkt për ne
Foto: Laura Hasani

Prokuroria Speciale: Kërcënuesi përmendi Gjykatën Speciale, nuk ishte direkt për ne

Kronika maj 24, 2019 - 13:57
Lexo tjera detaje

Një kërcënim me bombë u adresua sot ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, gjë që alarmoi Policinë e vendit për të zhvilluar kontrolle të detajuara brenda këtyre dy objekteve të gjendura në rrugën ‘Luan Haradinaj’ në Prishtinë.

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu në një deklaratë për Periskopin ka treguar për mënyrën e kërcënimit që u është adresuar atyre.

Lutfiu tregon se kërcënimi ka qenë indirekt, pasi siç thotë ai, i dyshuari kishte përmendur Gjykatën Speciale.

‘’Mund ta konfirmoj se nuk kemi pranuar një kërcënim direkt. Por, kur është pranuar telefonata kërcënuese në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) aty është përmendur edhe Gjykata Speciale, dhe duke e pasur parasysh që në Kosovë nuk ka Gjykatë Speciale atëherë ka lënë të kuptohet që është fjala për Prokurorinë Speciale”, ka thënë Lutfiu.

Policia e Kosovës dhe njësitet e deminimit, me ndihmën e qenve kanë zhvilluar kontrolle brenda këtyre dy objekteve. I gjithë personeli ishte evakouar nga dy ndërtesat në fjalë.