92 aktakuza për 24 orë
FOTO: Laura Hasani

92 aktakuza për 24 orë

Kronika May 24, 2019 - 08:00
Lexoni detajet
Image

Gjatë 24 orëve të fundit Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se ka ngritur 92 aktakuza për vepra të ndryshme penale. Po ashtu prokurori i Shtetit gjatë 24 orëve të fundit ka bërë pesë (5) kërkesa për caktimin e paraburgimit të gjashtë (6) personave, shkruan sot Gazeta 'Zëri'.

Prokurori i Shtetit njofton se nga prokuroritë themelore për 24 orët e fundit janë ngritur 92 aktakuza për vepra të ndryshme penale.

LEXO EDHE: Parashikimet e gabuara për marrëveshjen me Serbinë

Me urdhër të prokurorit të Shtetit janë ndaluar 5 persona për veprat të ndryshme penale.

Një person është ndaluar për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentative”, një person për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”, një për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, një për veprën penale “Dhunë në Familje”, si dhe një person për veprën penale “Grabitje, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

Po ashtu prokurori i Shtetit gjatë 24 orëve të fundit ka bërë pesë (5) kërkesa për caktimin e paraburgimit të gjashtë (6) personave.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit E. B., me dyshimin se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik me fatalitet”. Më tutje në njoftimin e dërguar thuhet se Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A. H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë në tentativë”, nga Neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5, lidhur me Nenin 28 të KPRK-së, si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga Neni 366, paragrafi 1 i KPRK-së.

Dy kërkesa për caktim të paraburgimit

Edhe Prokuroria Themelore e Pejës ka bërë dy (2) kërkesa për caktimin e paraburgimit, një ndaj të pandehurit L. R., për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, si dhe një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit D. G., për shkak të veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë një kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj dy (2) personave për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, nga Neni 186, nënparagrafi 1, lidhur me Nenin 31 të KPRK-së.

Pas kërkesës së prokurorit kujdestar të Departamentit të Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore të Prizrenit te gjyqtari i procedurës paraprake, për aprovim të urdhrit për bastisje, është kryer bastisje lidhur me ndalimin e të dyshuarit A. H., për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.

Sekuestrohet një pistoletë

Me rastin e bastisjes janë sekuestruar: Një (1) pistoletë “TT - M57”, gjashtëdhjetë e një (61) fishekë të kalibrit 7.62 milimetra, tre (3) karikatorë dhe një (1) çantë brezi.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë një kërkesë për sekuestrim të një sharre motorike për veprën penale “Vjedhja e pyllit”, nga Neni 349 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërkaq Gjykata Themelore në Ferizaj, Dega Shtërpcë, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve, N. G. dhe M. G., dhe të njëjtëve ua ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, nga Neni 186, paragrafi 3 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).