Helmimi i 88 personave në Drenas erdhi nga sosi e majoneza

Helmimi i 88 personave në Drenas erdhi nga sosi e majoneza

Kronika May 23, 2019 - 08:20
Lexo tjera detaje
Image

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar se majoneza e sosi janë shkaktarë të helmimit të 88 qytetarëve të komunës së Drenasit, të cilët me këto produkte ishin shërbyer nga qebaptorja “Toni” në Drenas. Prej momentit të helmimit qebaptorja në fjalë vazhdon të jetë e mbyllur, shkruan Gazeta "Zëri".

Majoneza dhe sosi që u janë shërbyer klientëve nga qebaptorja “Toni” në Drenas janë shkaktarë të helmimit të 88 qytetarëve, që ndodhi më 19 maj të këtij viti.

Komuna e Drenasit ka njoftuar se duke u bazuar në raportin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, helmimi i 88 personave gjatë iftarit që është shërbyer nga gjellëtorja – qebaptorja “Toni” në Drenas ka ardhur nga sosi dhe majoneza që u është shërbyer klientëve. Me këtë është konfirmuar se pronari i gjellëtores – qebaptores “Toni” nuk është përgjegjës, pasi që ushqimi që ai ua ka shërbyer klientëve ka qenë në rregull.

“Komuna e Drenasit pas njoftimit se janë shtruar në shërbimin shëndetësor në QKMF-në e Drenasit rreth 14 raste me helmim nga ushqimi, ka marrë masat për verifikim në terren ndaj lokalit ku janë ushqyer këta persona, me ç’rast është njoftuar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës dhe Stacioni Policor në Drenas për mbylljen e lokalit të dyshimtë dhe janë marrë mostrat ushqimore nga ky lokal. Me pranimin e analizave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të mostrave ushqimore dhe vërtetësisë së helmimi është shkaktuar nga ushqimi lokali është mbyllur dhe lënda është përcjellë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Dega në Drenas, ndërsa gjendja e lokalit do të përcillet nga Inspektorati Komunal i Drenasit. Gjendja e 26 pacientëve të shtruar në spital është e mirë dhe jashtë rrezikut për jetë. Në bazë të raportit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, numri i përgjithshëm i të prekurve me këtë infektim është 88 persona, 26 prej tyre janë trajtuar në QKUK – në Klinikën Infektive, ndërsa të tjerët janë trajtuar përmes qendrave të mjekësisë familjare në Drenas.

Lokali, i mbyllur përkohësisht

Sipas raportit të IKSHP-së, helmimi ka ardhur nga sosi dhe majoneza e shërbyer ndaj klientëve të lokalit, ndërsa nga pacientët e hospitalizuar 16 raste i takojnë gjinisë mashkullore e 11 të gjinisë femërore. Komuna e Drenasit u bën thirrje lokaleve afariste e hoteliere të kenë kujdes gjatë shërbimit të ushqimit, sidomos gjatë kohës së temperaturave të larta, gjithashtu edhe qytetarët të kenë kujdes në higjienën gjatë ushqimit”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e Komunës së Drenasit.

Helmimi i 85 personave në gjellëtoren “Toni” në Drenas kishte shtyrë Inspektoratin e Komunës që të mbyllë përkohësisht këtë biznes deri në daljen e rezultateve të mostrave të marra nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV).

Aurora Berisha, drejtoresha e Drejtorisë së Inspektoratit në Komunën e Drenasit, me ta marrë vesh lajmin për helmimin pati deklaruar se në rast se konstatohet se helmimi ka ardhur nga ushqimi në lokal, atëherë lokali do të mbyllet dhe personat përgjegjës do të shkojnë në përgjegjësi.

Në ndërkohë, Inspektorati i Drenasit ka mbyllur gjellëtoren – qebaptoren “Toni”, nga e cila janë shërbyer personat e helmuar. Personat e helmuar kishin kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF-në e Drenasit, ndërsa në mesin e tyre 6 kanë qenë në gjendje të rendë shëndetësore dhe ata me urgjencë janë dërguar për trajtim në QKUK.

Gazeta “Zëri” ka mësuar se një familje nga Tërsteniku kishte porositur ushqimin në gjellëtoren – qebaptoren “Toni” në Drenas për iftar në shtëpinë e tyre. Të gjithë anëtarët e familjes janë paraqitur në QKMF me ankesa se janë helmuar.

Dobra: Tashmë janë identifikuar shkaktarët

Bekim Dobra, zëdhënës i Komunës së Drenasit, duke konfirmuar se tashmë janë identifikuar shkaktarët e helmimit e që janë sosi e majoneza, tha se lokali nga i cili janë shërbyer personat e helmuar është mbyllur.

“Komuna, pas njoftimit nga qendra kryesore e mjekësisë familjare ‘Dr. Hafir Shala’ se janë paraqitur raste të helmimit me ushqim, fillimisht 14 raste, 4 të hospitalizuar dhe 10 në gjendje stabile, e ka lajmëruar Agjencinë e Ushqimit të Veterinës së Kosovës për verifikim të mostrave për analiza të ushqimit. Pas rritjes së numrit të personave të helmuar deri në 85 Inspektorati Komunal për shkaqe të sigurisë së shëndetit të përgjithshëm ka marrë aktvendim për mbyllje të përkohshme të lokalit të dyshuar, deri në konstatim të rezultateve nga Agjencia e Ushqimit”, ka deklaruar Dobra. Lidhur me këtë rast Policia ka intervistuar pronarin e lokalit nga i cili janë shërbyer personat e helmuar dhe pas intervistimit ai është liruar në procedurë të rregullt.

Në anën tjetër, tani për tani në Komunën e Drenasit nuk kanë mundur të thonë se çfarë do të jenë hapat e mëtutjeshëm, tani pasi që dihen shkaktarët e helmimit të 88 personave që janë shërbyer nga gjellëtorja – qebaptorja “Toni” në Drenas. Mbetet të shihet se nga cilat markete dhe nga cilët prodhues të sosit dhe të majonezës janë furnizuar lokalet ushqimore në Drenas, në veçanti gjellëtorja – qebaptorja “Toni”. Përgjegjësia, ndoshta edhe penale, pasi që rasti është kualifikuar si rrezik i përgjithshëm, tani kalon te prodhuesit e sosit dhe të majonezës, përkatësisht te marketet që e kanë shitur./ZËRI