Pranon se ka vjedhur 140 euro, dënohet me burg dhe gjobë

Pranon se ka vjedhur 140 euro, dënohet me burg dhe gjobë

Kronika May 21, 2019 - 13:38
Lexoni detajet

Katër muaj burgim efektiv dhe 300 euro gjobë është dënimi, të cilin ia ka shqiptuar Gjykata Themelore në Gjakovë, të akuzuarit për vjedhje, Skender Randonqiq.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Mentor Bajraktari, i akuzuari Randonqiq, është i obliguar që gjobën ta paguaj në afat prej 15 ditësh pas marrjes së aktgjykimit në formë të shkruar, në të kundërtën gjoba do t’i zëvendësohet me burgim.

Para shpalljes së aktgjykimit, në seancën fillestare të së martës, i akuzuari Randonqiq e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet, duke shtuar se atë e ka bërë pas konsultimit me mbrojtësin e tij, avokatin Ilir Hoxhaj.

Ai tha se është penduar për veprimin e kryer dhe se nuk do të përsëris në të ardhmen veprime të tilla.

Prokurori Enis Gashi dhe i dëmtuari Afrim Duraku nuk e kanë kundërshtuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Hoxhaj i propozoi Gjykatës që gjatë matjes së llojit dhe lartësisë së dënimit të merren parasysh rrethanat lehtësuese.

Ndryshe, i akuzuari Radonqiq deklaroi se është i dënuar për vepra tjera penale dhe është në vuajtje të tyre.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Skender Radonqiq po akuzohet se më 7 prill 2018, rreth orës 11:50, në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë, pikërisht në lokalin CD shop “Duraku”, me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm ia merr pasurinë e luajtshme të dëmtuarit Afrim Duraku.

Siç përshkruhet në aktakuzë, vjedhja ka ndodhur në atë mënyrë që duke shfrytëzuar momentin e volitshëm kur i dëmtuari ka dalë nga lokali për t’i thyer një shumë të parave, i pandehuri pasi hynë në lokal nga një pako që ishte në tavolinë ia vjedh shumën prej 140 euro, e pasi del nga lokali edhe pse identifikohet nga i dëmtuari, i njëjti arrin të larohet në drejtim të panjohur derisa është arrestuar nga zyrtarët policor më 25 prill 2018, në Pejë.