Kush janë të arrestuarit për përvetësim të 2.5 milionë eurove

Kush janë të arrestuarit për përvetësim të 2.5 milionë eurove

Kronika May 20, 2019 - 21:10
Lexo Detajet

Këta janë profilet e tre të arrestuarave që dyshohet që kanë përfituar kundërligjshëm 2.5 milion euro

Emri i tij ishte i njohur edhe më herët. Por, para disa javësh emri i Ismet Osmanit, u rikthye sërish në shkrimet e mediave kur objekti që ai kishte privatizuar u shemb dhe brenda mbeti vdekur një person nga Mitrovica.

Edhe pse personat e përfshirë në këtë aksident u arrestuar, Curri themelues i kompanisë “Dafina” në Brno të Çekisë, mbeti i lirë.

Por biznesmeni kontrovers, për të cilin raportuan edhe mediat e huaja, nuk u shpëtoi organeve të rendit.

Ai u arrestua të hënën në mëngjes, ndërkohë për veprimtarinë e tij kriminale raportonte qysh moti rrjeti i gazetarisë hulumtues, OCCRP-së.

Me titullin “Ngritja e krimit të organizuar nga Ballkani në Pragë”, e ku një nga personazhet kryesore negative është vetë Ismet Osman- Curri, kjo media raportonte se Curri është bashkëpronar  i Paradise Casino Admiral” një rrjet prej 20 kazinosh që i përkasin grupit Novomatic me bazë austriake”

Bashkë me Currin, emër i njohur për drejtësinë është biznesmeni, Rrahim Hashimi.

I akuzuari nga Gjykata Speciale, Hashimi ishte arrestuar në maj të vitit 2017 nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka kërkaur 100 mijë euro ryshfet për të lehtësuar hetimin në një rast të penal.

Ndaj Hashimit, Gjykata e Prishtinës në vitin 2017 kishte caktuar masën e arrestit prej 30 ditësh.

Ky së bashku me ish-drejtorin e Krimeve Ekonomike në Polici, Emin Beqiri kishin kërkuar ryshfet 100 mijë euro nga familjarë të zyrtarëve të akuzuar të Qendrës për Avokim dhe Diplomaci me qëllim që të njëjtëve t’u minimizohet rasti apo të përmbyllet.

Por nuk është vetëm kjo vepër për të cilën dyshohet Rrahim Hashimi.

Ndaj tij ishte ngritur aktakuzë edhe për mashtrim financiar rreth 130 mijë euro.

Personi tjetër i arrestuar është Ilir Bojku i njohur me nofkën “Gorilla”.

Gorilla tash e disa vite është i përfshirë në futbollin kosovar.

Shoku i Ismet Osmanit, që njihet edhe për shoqërinë me Ramiz Lladrovcin dhe Bekim Jasharin, kishe qenë drejtor i Klubit të Futbollit “Trepca 89”, derisa figuron si një nga investitorët kryesorë në disa klube.

Ndërkohë biznesmeni që ra viktimë e këtij grupi, Fatmir Dalladaku është doktor dhe në vitin 2005 kishte nënshkruar kontratë me Komunën e Prishtinës për marrje në shfrytëzim të tokës prej 15000 metrash katrorë në afërsi të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.