Sami Lushtaku shpallet i pafajshëm

Kronika May 20, 2019 - 09:37
Lexoni detajet

Gjykatata Themelore e Prishtinës, departamenti për krime të rënda ka liruar nga akuzat e vitit 2015 Sami Lushtakun për rastin e njohur si KEK. Gjykatësi i këtij rasti, Beqir Kalludra ka shpallur të pafajshëm ish kryetarin e Skenderajt Sami Lushtakun së bashku me gjashtë të akuzuarit e tjerë.

Nga këto aktakuza që janë ngritur në vitin 2015 për rastin KEK, gjykata ka liruar edhe ish drejtorin e KEK-ut, Arben Gjukaj, ish-kreun e Organit Shqyrtues të Prokurimit(OSHP) Hysni Hoxha, Esat Tahiri,Milazim Lushtaku, Driton Pruthi e Azem Durakun.

Në aktvendimin e shpallur Gjykata Themelore e Prishtinës, ka vlerësuar se të akuzuarit janë të pafajshëm ndërsa në proces për dy vepra penale të falsifikimit ndaj Esat Tahirit e Milazim Lushtakut janë parashkruar.

Hetimet për tenderin e KEK-ut kishin filluar më 5 tetor 2012, e aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.

Të akuzuarit e kishin dërguar çështjen edhe ne Gjykatën Kushtetuese, e cila e ka refuzuar kërkesën e tyre për t’i vënë masë të përkohshme këtij procesi.

Ish kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku akuzohej për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare. Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku akuzoheshin për veprën penale mashtrim, ish-drejtori i prokurimit Driton Pruthi, ish-drejtori i KEK-ut Arben Gjukaj dhe ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit Hysni Hoxha akuzohen për keqperdorim të pozitës zyrtare. Azem Duraku akuzohej për nxitje në keqpërdorim.