"Asnjë zyrtar i nivelit të lartë nuk është dënuar me burgim efektiv"

Kronika May 18, 2019 - 23:29
Lexoni detajet

Qeveria e Kosovës po vazhdon të qëndrojë e heshtur kundrejt thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare për largim nga pozita të zyrtarëve të lartë ndaj të cilëve ka të ngritura aktakuza. Zyrtarët qeveritarë nuk i kanë komentuar as sanksionet që Ambasada e SHBA-së i ka vendosur kundrejt këtyre personave. Analistët politikë në vend thonë se edhe ambasadat tjera duhet të veprojnë njësoj, duke izoluar tërësisht politikanët e korruptuar, shkruan Gazeta 'Zëri'. 


Betim Musliu, nga IKD-ja, ka theksuar se deri më tani në Kosovë asnjë zyrtar i profilit të lartë nuk është dënuar me asnjë ditë burg efektiv për vepra penale të korrupsionit.

“Deri më tash nuk kemi asnjë profil të lartë i cili është i dënuar qoftë edhe një ditë me burgim efektiv për shkak të ndonjërës prej veprave penale të korrupsionit. Kjo e dëshmon më së miri gjithë këtë luftë e cila proklamohet vazhdimisht e që është duke u bërë kundër korrupsionit në profil të lartë, nuk përfundon në asnjë rast me aktgjykim përfundimtar nga ana e gjykatave në Kosovë”, ka thënë ai për "Zërin". 

Ai ka thënë po ashtu se aktakuza të ngritura ndaj zyrtarëve në nivel të lartë ka, por ato ngrihen “sa për sy e faqe”.

“Nuk është që nuk kemi pasur aktakuza të profilit të lartë, por problemi është si janë ngritur këto aktakuza dhe përmbajtja e tyre në çka është bazuar. Në bazë të hulumtimit dhe analizave tona rezulton që këto aktakuza kanë qenë të ngritura mbi bazën e agjendave partiake politike dhe mbi bazën e grupeve të ndryshme të interesit, të cilat sot u shërbejnë njerëzve të caktuar e që gjenden brenda sistemit të drejtësisë. Në fund të secilës aktakuzë del se ato me qëllim janë ngritur dobët, që në fund të rrëzohen në shkallë të ndryshme”, ka shtuar ai.

Sipas Musliut, një pjesë e aktakuzave të ngritura janë bërë ndaj atyre zyrtarëve që në një rast të caktuar nuk janë treguar “të dëgjueshëm” ndaj partisë së tyre. /ZERI