Dënohet me 18 vjet burg një person në Gjakovë

Dënohet me 18 vjet burg një person në Gjakovë

Kronika maj 15, 2019 - 17:28
Lexo tjera detaje

Departamenti për krime të rënda në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ka shpallur vendimin për dënim ndaj të akuzuarit për vrasje, mbajtje në pronësi dhe posedim të paautorizuar të armëve, përcjell "Zëri.Info”.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, E.B është shpallur fajtor ku ka marrë dënim me burg me kohëzgjatje prej 18 vitesh.

Lexojeni njoftimin e plotë:

Gjakovë, 15 maj 2019 - Gjykata Themelore në Gjakovë - Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykim dënues kundër të akuzuarit E.B. për veprën penale, “Vrasja” nga neni 178 dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të ish Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I akuzuari E.B. është shpallur fajtor dhe i është shqiptuar dënim unik me burg për dy veprat penale në kohëzgjatje prej tetëmbëdhjetë (18) vite, në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 01 nëntor 2017. I akuzuari është obliguar që të paguaj shpenzimet procedurale në shumën prej njëmijë e pesëqind e njëzet e një (1521.68) euro, shpenzimet e paushallit gjyqësorë në shumën prej treqind (300) euro si dhe shumën prej pesëdhjete (50) euro, në emër të kompensimit të viktimave të krimit në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të zhvilluar kundër të akuzuarit E.B., gjykata ka ardhur në përfundim se në bazë të gjendjes së vërtetuar faktike, i akuzuari, me 01 nëntor të vitit 2017 në Gjakovë, pikërisht në qebaptoren “T-B” me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin A.H. për shkak të një mosmarrëveshje që i akuzuari kishte pasur kohë më parë me tani të ndjerin rreth motrës së tij të mitur.

Të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimi deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit. Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.