Nrecaj: Vetingu, i nevojshëm në gjyqësor, Prokurori dhe Polici

Nrecaj: Vetingu, i nevojshëm në gjyqësor, Prokurori dhe Polici

Kronika maj 15, 2019 - 14:48
Lexoni detajet

Që nga viti 2009 institucionet e drejtësisë në vend nuk i janë nënshtruar një procesi të ri të vetingut, gjë e cila sipas njohësve të drejtësisë pengon luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend. Ata vlerësojnë që nuk ka sinjale se procesi i vetingut do të ndodhë së shpejti, shkruan Gazeta "Zëri".

Njohësi i çështjeve të drejtësisë, Anton Nrecaj, për “Zërin” ka thënë që vetingu në gjyqësor, në Prokurori dhe në Polici është i domosdoshëm në Kosovë për shkak të ndikimit tejet të madh politik.

“Nëse duam të kemi një sistem funksional të drejtësisë, respektivisht sundim të rendit dhe të ligjit, Kosovës i duhet patjetër vetingu. Është momenti i fundit që përfundimisht gjërat në sistemin e drejtësisë të jenë funksionale në shërbim të popullit dhe pa ndikime politike në gjyqësor. Vetingu duhet të bëhet në tri shtylla, në gjyqësor, në Prokurori e në Polici dhe këtë proces duhet ta udhëheqin ndërkombëtarët. Kjo sepse fatkeqësisht nga vendorët nuk mund të bëhet për shkak të shumë rrethanave e njëra ndër ato është ajo e ndikimit politik”, ka thënë Nrecaj.

Sipas tij, procesi i vetingut në Kosovë nuk duhet të jetë i modelit të Shqipërisë, por të jetë i mbikëqyrur nga profesionistë që vijnë nga shtetet si SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Gjermania.

“Kosovës nuk i duhet vetingu i modelit të Shqipërisë, por se ky proces duhet të jetë komplet i mbikëqyrur dhe i udhëhequr nga profesionistë si nga vendet e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë. Nëse si vend nuk e marrim guximin për të filluar një proces të vetingut, atëherë kam frikën se për një kohë shumë të gjatë do të kemi shumë probleme me sistemin e drejtësisë dhe sundimit të rendit dhe të ligjit në vend dhe aq me tepër do të jemi shumë larg parimeve të demokracisë dhe shumë më larg integrimit të vendit në familjen e Unionit Evropian”, ka shtuar ai. /ZERI