Rrëfimi i babait të një prej të kthyerve nga Siria

Rrëfimi i babait të një prej të kthyerve nga Siria

Kronika April 20, 2019 - 17:13
Lexoni detajet

Murat Misini është babai i Agon Misinit, i cili po raportohet se është në mesin e katër të arrestuarve pasi u kthyen nga Siria në orët e para të ditës së sotme.

Në një intervistë të dhënë para nëntë muajve për Zërin e Amerikës, Murat Misini kishte treguar se kishte pas tri vjet që djali i tij Agoni kishte shkruar në Siri për t’i bashkuar luftës atje.

Murati babai i Agonit nuk i di arsyet që e shtynë djalin e tij të marrë atë rrugë.

“Gjithë kohës thoshte se dua të dalë jashtë (Kosovës) për të punuar se këtu nuk ka perspektivë, edhe ky është fakt sepse ne 30 anëtarë jemi në familje, kryesori unë jam. Djali e shihte se nuk ka asgjë këtu dhe më pyeti se a mundet ta nxjerrë pasaportën, sepse më tha i kam dy shokë, një në Ferizaj një në Maqedoni. E mori pasaportën dhe më tha dua të shkoj te shokët në Maqedoni. Pas një muaji e gjysmë u lajmërua, tha unë ka një muaj e gjysmë që kam ecur në këmbë për të ardhur në perëndim por po e shoh veten krejt në tjetër vend, kishte shkuar në Siri”, kishte thënë Misini.

Pasi kishte shkuar në Siri, Agoni kishte mbajtur kontakt me familjen për muaj të tërë dhe çdo herë u kishte thënë përmes telefonit se është i penduar dhe dëshiron të kthehet në Kosovë. Murati thotë se ka provuar ta nxjerrë djalin nga kjo situatë por nuk ka qenë e mundur.

“Para dy vjetëve unë isha për ta marrë, kam shkuar deri në kufi me Sirinë, në Turqi. Isha i obliguar t’i dorëzojë paratë për ta paguar një njeri që do ta sillte këndej kufirit djalin. Unë i dorëzova paratë dhe erdha në banesë, duke e pritur djalin ai më telefonoi, tha babi paratë i kam marrë dhe më pyeti se në cilin hotel isha duke më thënë se është nisur të vijë te unë. Unë i tregova hotelin dhe prita që do të vijë, por pas një ore vetëm kur e kam parë derën e banesës që ra në tokë edhe katër persona, policë që erdhën dhe më kapën”, thotë ai.

Murati thotë se ishin forcat turke të sigurisë e mbajtën në burg për 3 ditë dhe më pas e liruan për tu kthyer në Kosovë.

Që nga mëngjesi u raportua se katër burrat e kthyer nga Siria mbrëmë në Kosovë, me urdhër të Prokurorisë Speciale, u ndaluan për 48 orë. Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi përmes një konference të jashtëzakonshme për media tha se arrestimi i tyre u bë për shkak të dyshimit se kanë marrë pjesë në luftime në kuadër të grupit terrorist ISIS.

Ndaj katër kosovarëve që dyshohet se ishin me rrezikshmëri të lartë menjëherë hyri në fuqi urdhërarresti.

Prokurori Special Sylë Hoxha po në këtë konferencë tha se ndaj këtyre katër personave ka hyrë në fuqi urdhër arresti.

“Ndaj këtyre perosnave ka qenë në fuqi urdhër arresti. Në momentin që këta ndalohen nga policia, sillen në Prokurori”, ka thënë Sylë Hoxha.

Por, as Hoxha e as Lumezi nuk dhanë detaje se kush janë këta persona.

Siç raporton Gazeta Express, katër kosovarët që luftuan një kohë në zonat e konfliktit në Siri për t’u kthyer mbrëmë në Kosovë, janë: Agon Misini, Arijan Kryeziu (Krujezi), Rexhë Tafaj dhe Visar Qukovci.

Arrestimin e tyre e ka konfirmuar edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale janë arrestuar katër luftëtarë, ata janë ndaluar për 48 orë”, tha ai.

E për personat që luftojnë në Siri, para disa vitesh shteti ynë ka hartuar një ligj me të cilin çdo person që merr pjesë në luftëra të huaja do të dënohet deri në 15 vjet burgim.