'Stenta 1', ish-ministri Agani dhe ish-sekretari Shabani kërkojnë të lirohen nga akuzat

'Stenta 1', ish-ministri Agani dhe ish-sekretari Shabani kërkojnë të lirohen nga akuzat

Kronika April 18, 2019 - 17:06
Lajmet e fundit nga vendi!

Me fjalën përfundimtare të prokurores speciale, Florije Salihu-Shamolli, të akuzuarve Ferid Agani dhe Gani Shabani si dhe të mbrojtësve të tyre, ka përfunduar të enjten gjykimi në rastin e njohur si “Stenta 1”.

Aktakuza e ngritur tre vite më parë nga prokurori Besim Kelmendi, i ngarkon Aganin, si ish-ministër i Shëndetësisë dhe Gani Shabanin, si ish-sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, se kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare me rastin e lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me spitalet private, si dhe me ndarjen e mjeteve për pacientët që ishin trajtuar në këto spitale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E duke analizuar shkresat dhe provat e administruara, udhëzimet administrative, ligjin për prokurim publik, deklaratat e dëshmitarëve, interpretimin e dhënë nga ana e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), prokurorja Shamolli tha se është vërtetuar se dy të akuzuarit kanë kryer veprën penale për çka ngarkohen.

Siç tha prokurorja Shamolli, nëse analizohet përgjigja e KRPP-së si dhe dëshmitë që kishin dhënë përfaqësuesit e KRPP-së gjatë shqyrtimit kryesor, shihet se çdo para publike mbi 1000 euro, duhet t’i nënshtrohet Ligjit për Prokurim Publik dhe në rastin konkret një ligj i tillë nuk ishte respektuar.

“Marrëveshjet që janë nënshkruar nga Gani Shabani janë lidhur vetëm për një vit dhe nuk gjetëm prova se të njëjta janë vazhduar ndërsa pagesat e pacienteve që shkonin në spitale private dokumentohet se kanë qenë 641 pacientë që janë paguar me këto para të subvencioneve” tha prokuroja në fjalën e saj përfundimtare.

Po ashtu, prokurorja Shamolli tha se personat që kanë qenë të autorizuar për t’i mbikëqyrur punët e këtyre institucioneve private nuk e kanë bërë një gjë të tillë, me arsyetimin se nuk ka qenë obligim i tyre edhe pse sipas prokurores në marrëveshje thuhet qartë se të duhet të mbikëqyren.

SMS-të e siguruar nga prokuroria gjatë fazës së hetimeve, sipas prokurores, e vërtetojnë se i akuzuari Agani ka pas bashkëpunim me personat e akuzuar dhe i njëjti kishte pasur njohje me këto dy spitale private dhe qëllimi i tyre ka qenë përfitimi pasuror i këtyre spitaleve, IMH dhe EDA.

Sipas prokurores, të akuzuarit nuk kishin përfillur as njoftimet e MSH-së se disa herë licencat për dy spitalet në fjalë nuk ishin vazhduar dhe pavarësisht kësaj, të njëjtave nuk u ishte ndalur puna.

Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja ceku edhe deklaratën e dhënë nga ana e dëshmitarit, mjekut Tefik Bekteshi, i cili siç tha prokuroja, kishte qenë kundër këtyre marrëveshjeve.

Duke u bazuar në të gjitha këto rrethana, Shamolli kërkoi që dy të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen.

Me këtë rast, si rrethana lehtësuese prokurorja propozoi të merret fakti se të akuzuarit kanë qenë korrekt në sjelljet e tyre dhe nuk kanë qenë të dënuar më parë, kurse si rrethanë rënduese, prokuroria e theksoi faktin se kemi të bëjmë me një shumë të madhe të parave dhe me jetën e njerëzve.

Gjithashtu në seancën e së enjtes, prokurorja bëri edhe precizimin e aktakuzës në këtë rast, ashtu që të akuzuarit ngarkohen me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare në periudhën kohore nga 22 prilli 2012 deri më 31 dhjetor 2015, për dallim nga aktakuza e parë e cila përfshinte periudhën nga 1 janar 2011 deri më 31 dhjetor 2015.

Ashtu siç kishte thënë në seancën e parë të shqyrtimit gjyqësor për këtë rast, më 11 qershor 2018, ish-ministri Agani edhe në fjalën e tij përfundimtare, e ngriti çështjen se pse për veprimet e njëjta sikurse të tij, nuk janë iniciuar procedura kundër paraardhësve dhe pasardhësve të tij, në pozitën e ministrit të Shëndetësisë.

“Unë e ndjej veten si subjekt të një drejtësie selektive, pse veç unë jam akuzu për këto marrëveshje e jo edhe ministrat tjerë, para meje, pas meje, për te njëjtën mënyre te veprimit”, tha Agani.

Siç tha Agani, kjo aktakuzë kishe qenë e padrejtë dhe e pabazuar, pasi sipas tij, në asnjë mënyrë nuk e ka shkelur Ligjin e Prokurimit Publik, e as ai e as spitalet private nuk kishin realizuar asnjë përfitim të pabazë.

Faktin se në akuzë thuhet se ai nuk e kishte ndaluar nënshkrimin e marrëveshjeve me spitalet private, sipas Aganit nuk qëndron pasi marrëveshje të tilla sipas tij, kishin qenë të parapara me udhëzimet administrative.

“Në vitin 2011, sipas të dhënave të Bankës Botërore, 80 milionë euro janë paguar nga qytetarët për shërim jashtë vendit dhe ka qenë synim i jone që këto para të ndalen ne vend. Deri atëherë kane shkuar qytetaret në Turqi e Maqedoni duke rrezikuar edhe jetën e tyre pasi kemi të bëjmë me infarkt te miokardit ku 48 orët e para janë kruciale. Këto mjete qe i ka nda Kuvendi për subvencione për ndihme të qytetarëve, këto mjete të shfrytëzohen në mënyre sa me të përgjegjshme. Nuk ka qenë qëllimi i krijimit të një pozite te privilegjuar për këto spitale”, deklaroi Agani.

Arsye pse këto marrëveshje nuk ishin vazhduar pas prillit 2013, sipas Aganit, ka qenë se më 7 maj 2013, ishte shpallur ligji për shëndetësinë, me të cilin ligj kompetencat për rregullimin e marrëdhënieve me institucionet private i kalonin në Agjencinë e Financimit Shëndetësor dhe prej asaj dite, MSH nuk ka pas të drejtë të hyjë në marrëdhënie të bashkëpunimit me institucionet private.

Sa i përket akuzave se nuk e kishte furnizuar me materialin e nevojshëm harxhues Klinikën e Kardiologjisë Invazive, Agani tha se një gjë e tillë nuk është bazuar në prova pasi siç tha, vetëm gjatë një viti është shpëtuar jeta e 350 pacientëve.

Për sigurimin e investimeve për Kardiologjinë, ish-ministri tha se kishte lidhur hua në vlerë prej 4.2 milionë euro me Austrinë si dhe kishte siguruar ripërtëritjen e një marrëveshje në vlerë prej 1.2 milion euro me Qeverinë e Italisë, e me të cilat mjete tha se është hap edhe Klinika e Kardiologjisë.

Agani tha se nëse do të kishte ndërruar alokimin e mjeteve nga kategoria e subvencioneve në investime kapitale do të binte ndesh me ligjin, kurse sa i përket kompensimeve prej 100 % për pacientët të cilët nuk i kishin përmbushur kushtet, Agani tha se ka qenë kompetencë e bordit ekzekutiv, ndërsa ai vet nuk ishte ndërhyrë në autonominë e atij bordi.

“Gjatë mandatit tim mendoj se e kam bërë më të mirën e mundshme, që çështjen e qytetarëve me sëmundje kardiake ta adresoj në mënyrën me gjithëpërfshirëse, masat që i kam ndërmarr kanë qenë me qëllim të sigurimit të një shërimi sa me komplet. Akuzat kanë qene të papritura për mu dhe nuk kanë pas bazë ligjore. Punën e kam bëre në mënyrë transparente dhe profesionale dhe siç kam pasur besim kur më është ngritur aktakuza, vazhdoj te kem besim ende në drejtësinë kosovare”, përfundoi fjalën e tij përfundimtare Agani.

Mbrojtësi i tij, avokati Adem Vokshi, aktakuzën e ngritur nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit e quajti të kundërligjshme pasi siç tha, bartja e këtij rasti te Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, sipas tij, është bërë në kundërshtim me ligjin, pasi nuk ishin plotësuar kushtet që të bëhet një bartje e tillë.

“Është absurde të besohet se të gjithë prokurorët e PSRK-së kanë qenë neglizhentë apo jo profesional me lëndën konkrete. Si ka mundësi që pas marrjes së një vendimi të tillë pas ngritjes së aktakuzës, lënda është përfaqësuar vazhdimisht nga PSRK. Nuk kemi asnjë vendim që është revoku vendimi për bartje apo është marr ndonjë vendim që kjo lëndë të bartet sërish në PSRK”, tha Vokshi.

Sa i përket përmbajtjes së kësaj aktakuze, Vokshi tha se në asnjë veprim të të mbrojturit të tij, nuk është plotësuar figura e veprës penale.

Krejt aktakuza, siç tha Vokshi, është bazuar në një interpretim të KRPP-së, mirëpo avokati tha se paragrafi i fundit i këtij interpretimi thekson se Ligji i Prokurimit Publik nuk aplikohet atëherë kur parashihet ndonjë ligj tjetër, çka sipas Vokshit është edhe çështja në rastin konkret ku akuzohen Agani dhe Shabani.

“Shpenzimet që nuk kërkojnë prokurim janë subvencionet dhe transferet. E gjitha shuma që i vihet në barrë Ferid Aganit ka të bëj me subvencione e jo me diçka tjetër”, deklaroi Vokshi.

Ish-ministri Agani, sipas mbrojtësit të tij, nuk kishte nënshkruar marrëveshje vetëm me dy spitalet IMH dhe EDA, por edhe me shtatë spitale tjera, dhe nëse akuzohet për marrëveshjet me IMH dhe EDA, avokati e ngriti pyetjen se pse nuk akuzohet edhe për marrëveshjet e njëjta me shtatë spitalet tjera.

“Meqenëse kjo aktakuzë është e palejuar dhe në substancë e pabazuar, i propozojmë që të hudhet kjo aktakuzë dhe Aganin ta lirojë nga akuza pasi që në veprimet e të njëjtit nuk ka elemente të veprës penale”, tha në fund të fjalës së tij përfundimtare, avokati Vokshi.

E lirimin nga akuzat për të mbrojturi ne tij, Gani Shabani, e kërkoi edhe avokati Nikë Shala.

Sipas avokatit Shala, aktakuza e ngritur nga prokurori Kelmendi është bazuar në supozime e jo në prova materiale dhe në rastin konkret tha se është shkelur parimi “in dubio pro reo” ndaj të mbrojturi të tij.

“Për tu kryer kjo vepër penale duhet të ekzistojë dashja. Nuk është vërtetuar asnjë element qenësor që klienti im ka kryer veprën penale qoftë me dashje direkte apo indirekte”, tha Shala.

Shala tha se klientit të tij i vihet barrë në aktakuzë edhe një periudhe kohore prej një vit e 12 ditë, kohë në të cilin siç tha, Shabani nuk ka qene fare në pozitën e sekretarit të përgjithshëm të MSH.

“Të dy marrëveshjet e lidhura kanë qenë të ligjshme sepse edhe më parë kanë qenë të tilla të nënshkruara dhe nuk janë iniciuar procedura. Subvencionet janë ndihma nuk i nënshtrohen prokurimit. Gani Shabani fare nuk i njeh Ali Hocaoglun e as Borche Petrovskin për të cilët akuzohet se ka kryer veprën penale në bashkëkryerje. Nga të gjitha email-at dhe shkresat zyrtare shihet se Gani Shabani ju ka drejtuar të gjithë personave relevant në mënyrë taksative që të gjitha lëndët të procedohen sipas ligjit”, deklaroi Shala.

Edhe nga përgjimet telefonike të bërë nga policia, Shala tha se vërtetohet se Shabani nuk ka pas asnjë kontakt me 60 të akuzuarit e rastit “Stenta”, e as me 170 dëshmitarët e aktakuzës.

Si “nonsens” e quajti Shala edhe faktin se në asnjë fazë në këtë gjykim nuk është dëgjuar pala e dëmtuar në këtë rast.

“Kem besim të plotë në këtë trup gjykues që pas analizimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitareve se do të bien një aktgjykim lirues, çdo aktgjykim tjetër do të ishte nonsens për analet e drejtësisë. Sipas maksimës së vjetër, më mirë të lirohen 99 fajtor se sa të shpallet fajtor një i pafajshëm”, tha avokati Shala.

Vet i akuzuari Shabani tha se gjatë 20 vjetëve të fundit që ka qenë në pozita menaxheriale, asnjëherë nuk ka ndërmarr ndonjë veprim të ligjshëm dhe kjo tha se është dëshmuar edhe në këtë lëndë për çka tha se pret që të lirohet nga akuza.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet më 24 prill 2019, ora 15:00.

Ish-ministri Agani dhe ish-sekretari Shabani, të cilët nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje akuzat me të cilat ngarkohen në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 26 shkurt 2018.

Në shqyrtimin fillestar të 26 shkurtit 2018, po ashtu ishte bërë e ditur nga gjykatësja e këtij rasti, Shadije Gërguri, që të akuzuarit Agani dhe Shabani tash e tutje do të vazhdojnë të gjykohen veçmas nga të akuzuarit tjerë, të cilët do të gjykohen në dy procedura të tjera.

Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”,  “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Sipas aktakuzës së PSRK-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore prej 1 janarit 2011 deri më 31 dhjetor 2015, të akuzuarit Agani dhe Shabani, duke vepruar në bashkëkryerje me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me të akuzuarit tjerë në këtë rast, Ali Hocaoglu dhe Borche Petrovski dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik kanë keqpërdorur pozitën e tyre.

Një gjë të tillë, sipas prokurorisë, i akuzuari Shabani në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në MSH, kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore që nuk ofroheshin në institucione publike.

Këto marrëveshje ai pretendohet se i kishte nënshkruar me spitalet private International Medicine Hospital (IMH) dhe Intermed EDA, pa e shpallur tenderin për sigurimin e këtyre shërbimeve.

Ndërsa, vazhdon aktakuza, i akuzuari Agani në cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë, pretendohet se nuk kishte penguar nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve edhe pse kishin qenë në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik., mirëpo, i njëjti kishte ndikuar tek i akuzuari Shabani që të bëhej nënshkrimi i tyre dhe pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve kishin vazhduar keqpërdorimin e pozitës dhe autoritetit zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tyre, ku me dashje dhe dijeni nuk kishin marrë veprime të nevojshme për të furnizuar me materiale kardiologjinë invazive në QKUK, por përkundrazi, në bashkëpunim me Hocaoglun dhe Petrovskin, u kishin paguar spitaleve private IMH dhe Intermed EDA shumën prej 4,555,553.00 euro.

Më ketë, sipas aktakuzës, Agani dhe Shabani kishin kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, me çka kishin dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumë prej 4,555,553.00 euro.

Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridikë. Mirëpo, për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.