Katër persona pjesë e organit mbikëqyrës në fokus të hetimeve për Shtëpinë e Kulturës në Zhur

Katër persona pjesë e organit mbikëqyrës në fokus të hetimeve për Shtëpinë e Kulturës në Zhur

Kronika March 19, 2019 - 09:33
Lexo Detajet

Përfaqësues të Prokurorisë Themelore të Prizrenit (PTH) kanë deklaruar se shumë shpejt do të përfundojnë hetimet rreth ndërtimit të stërzgjatur të Shtëpisë së Kulturës në Zhur të Prizrenit, ndërsa në fokus janë katër persona, të cilët janë organ mbikëqyrës, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Prokurori Genc Nixha, në tryezën e organizuar tri ditë më parë nga OJQ “EC Ma Ndryshe” me temën “Sfidat e prokurimit publik në Komunën e Prizrenit”, ka konfirmuar se Prokuroria është në fazën finale sa i përket hetimeve rreth projektit për Shtëpinë e Kulturës në Zhur.

“Në hetime janë katër persona, të cilat janë organ mbikëqyrës, ndërsa  hetimet shumë shpejt do të përfundojnë”, ka thënë ai, por pa dhënë hollësi të tjera rreth dosjes.

PTH  e Prizrenit, që ende nuk i ka përmbyllur hetimet lidhur me projektin e ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës në Zhur, që ka nisur në vitin 2010 por që ende nuk është funksionalizuar, me gjithë faktin që për këtë investim kapital janë shpenzuar rreth 1.3 milionë euro, ditë më parë ka paralajmëruar aktakuzë për rastin.

Hetimet për këtë kanë nisur tek në vitin 2016 pas një shkrimi në media. Prokuroria Themelore e Prizrenit, sipas drejtuesve të saj, në qershor të vitit 2016 pati lëshuar një autorizim për Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me grumbullimin e provave për projektin e ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës në Zhur. Po ashtu patën theksuar se bëhet fjalë për një lëndë të ndërlikuar me vëllim të madh pune.

Zyrtar të lartë të Komunës së Prizrenit, ditë më parë kanë pohuar se Ekzekutivi komunal nuk do të intervenojë në Shtëpinë e Kulturës në Zhur përderisa rasti është duke u hetuar nga Prokuroria.