Polici i dyshuar për vrasjen e 32-vjeçarit sot pritet të dalë para gjykatës

Polici i dyshuar për vrasjen e 32-vjeçarit sot pritet të dalë para gjykatës

Kronika March 19, 2019 - 08:21
Lexo Detajet
Image

32-vjeçari Jetmir Aliaj, punonjës i një kazinoje në Suharekë, ka mbetur i vrarë me armë zjarri të dielën në mëngjes. I dyshuar për vrasjen e tij është rreshteri policor Shefki Spahiu. Ndonëse motivet e vrasjes ende nuk dihen, dyshohet që shkak për vrasjen të ketë qenë plaçkitja në kazino, shkruan gazeta "Zëri".

Sot pritet të mbahet seanca gjyqësore në lidhje me rastin e vrasjes së një punonjësi të një kazinoje në Suharekë. I dyshuari për vrasjen e punonjësit Jetmir Alijaj është rreshteri policor Shefki Spahiu, derisa motiv i vrasjes mendohet të ketë qenë plaçkitja në kazino.

LEXO EDHE: Bllokimi i KQZ-së i lë partitë pa para qe tre muaj

Kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala, ka thënë për “Zërin” se prokurori i rastit ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit. Ai ka bërë të ditur se rreshteri Spahiu kishte qenë edhe para tre vjetëve i akuzuar për një vepër tjetër penale, por që, siç ka thënë ai, kishte dalë i pafajshëm.

“Ne kemi pranuar kallëzimet penale nga inspektorati policor. Prokurori i rastit ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Kërkesa është dërguar në gjykatë dhe po presim prej saj që të caktojë seancën. Besoj që sot do të mbahet seanca në bazë të informatave që kemi. I dyshuari ka qenë edhe më herët i akuzuar, por është liruar nga vepra penale. Nga Gjykata e Apelit është vërtetuar lirimi. Kjo ka qenë para tre vjetëve”, ka thënë ai. 

Në lidhje me vrasjen e 32-vjeçarit të dielën përmes një konference për shtyp është prononcuar edhe Policia e Kosovës. “Në bazë të provave materiale viktima është J. A., nga fshati Mushtisht. Kemi ardhur në përfundim se i dyshuari i vetëm është një zyrtar policor, rreshter në veri të Prizrenit, me iniciale SH. S. Policia ka bërë kontrollin në shtëpinë e tij dhe më pas është arrestuar”, është thënë në konferencë. Përndryshe, gjatë ditës së djeshme i është dhënë lamtumira e fundit 32-vjeçarit Jetmir Alijaj. 32-vjeçari është përcjellë për në banesën e tij të fundit në varrezat e fshatin Mushtisht.

Spahiu nuk e pranon fajësinë

Pavarësisht dyshimeve se rreshteri policor Shefki Spahiu ka kryer vrasjen e 33-vjeçarit, avokati i Spahiut, Emrush Kastrati, ka thënë për “Zërin” se gjatë bastisjes së banesës, veturës dhe shtëpisë së të dyshuarit nuk janë gjetur prova materiale që e lidhin atë me vrasjen. Sipas tij, as klienti i tij nuk e ka pranuar fajësinë. “Në bastisje nuk janë gjetur prova materiale qoftë në banesën e tij, në veturën e tij që është e konfiskuar ose në shtëpinë e tij të vjetër që nuk banon qe 15 vjet. Sa i përket vendit të ngjarjes, nuk e di se çfarë provash janë gjetur aty. Ai nuk e ka pranuar dyshimin se është akter i vrasjes së viktimës. Klienti thotë se unë nuk e kam vrarë dhe as që kam ide në atë drejtim”, ka thënë ai. Ai ka bërë të ditur se tashmë rreshteri është suspenduar nga pozita e tij dhe se është ndaluar për 48 orë. “Ai është i ndaluar prej ditës së djeshme në orën 24:00. Unë kam informacione se Prokuroria ka bërë kërkesë për caktim të paraburgimit. Ai është i suspenduar nga pozita e tij dhe është i ndaluar për 48 orë”, ka theksuar ai.

Përndryshe, se rreshteri Spahiu ka qenë i akuzuar edhe më herët për vepër tjetër penale e ka konfirmuar edhe avokati i tij.

Kastrati ka thënë se Spahiu ishte akuzuar për raporte intime me dy vajza të mitura nën moshën 16-vjeçare, por që kishte dalë i pafajshëm. “Unë e kam mbrojtur një rast të tij ku ka qenë i akuzuar për raporte intime me dy vajza të mitura nën moshën 16-vjeçare. Ai nuk është gjetur i fajshëm në këtë rast. Shkalla e parë ka marrë aktgjykim lirues atëherë”, ka shtuar ai.

Shala: Ky është një rast i ndjeshëm

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, e ka cilësuar rastin e vrasjes së viktimës si rast të ndjeshëm. Ai ka thënë për “Zërin” se edhe pse në këtë vrasje dyshohet se është përfshirë një zyrtar policor siguria e qytetarëve është në nivel të kënaqshëm. “Rasti i vrasjes që ka ndodhur mund të them që është një rast tejet sensitiv dhe emocional, sepse ka dyshime që është i përfshirë një zyrtar policor në kryerjen e veprës. Siguria ndaj qytetarëve është e nivelit të kënaqshëm”, ka thënë ai. Derisa ka folur edhe për veprën penale për të cilën rreshteri ishte akuzuar para tre vjetëve, Shala ka thënë se Policia dhe Prokuroria do ta zbardhin edhe këtë rast. “Unë mendoj që ndaj rreshterit në fjalë ka pasur një proces hetimor dhe hedhje të kallëzimit penal për veprën penale në fjalë dhe nga ai proces ka dalë i pafajshëm, kjo edhe një herë e dëshmon që Policia së bashku me Prokurorinë do t’i kryejnë të gjitha hetimet e nevojshme për të zbardhur këtë rast dhe shumë raste të tjera”, ka thënë ai./Zeri/