Dorëzohet në Prokurori djali i vëllait të Shaip Mujës, që plagosi familjarin e Pacollit

Dorëzohet në Prokurori djali i vëllait të Shaip Mujës, që plagosi familjarin e Pacollit

Kronika mars 14, 2019 - 21:01
Lajmet e fundit nga vendi!

Është dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë Ardian Muja, djali i vëllait të Shaip Mujës, i cili ndodhej në arrati prej rreth gjashtë muajsh pasi kërkohej nga Policia e Kosovës nën dyshimin për plagosjen e Osman Pacollit.

Gjashtë muaj më parë, Ardian Muja dyshohet se tentoi ta vriste në Prishtinë Osman Pacollin, vëllain e sekretarit të AKR-së, Rrahim Pacolli dhe familjarin e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Muja është dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë rreth një muaj më parë dhe ndaj tij Gjykata ka caktuar masë paraburgimi prej 30 ditësh. Lajmin e ka konfirmuar sot për Insajderin, Ibrahim Berisha, Zv/kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

“Është vet lajmëru ai [Ardian Muja, v.j] në Prokurori. Ne kemi bërë kërkesë dhe i është caktuar paraburgimi. Hetimet kanë përfunduar dhe janë dëgjuar dëshmitarët, të pandehurit dhe të dëmtuarit”, ka thënë Berisha.

“Sot, eventualisht nesër aktakuza shkon në Gjykatë”, ka deklaruar Berisha.

Osman Pacolli ishte plagosur me tre plumba në Prishtinë rreth tre muaj më parë. Lajmin asokohe e kishte konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Djali i vëllaut të Shaip Mujës, dyshohet se plagosi familjarin e Behgjet Pacollit

“O. P, mashkull, 33 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili menjëherë është dërguar për trajtim mjekësor. Lidhur me rastin në fjalë policia ka identifikuar personin e dyshuar: A. M, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës i cili aktualisht ndodhet në arrati”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Insajderi