Arrestohet një person për marrje të ryshfetit

Kronika February 21, 2019 - 20:43
Detajet!

Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Prishtinë (NJRHKEK-Prishtinë) sot ka pranuar një informatë lidhur me një zyrtar nga Gjykata Themelore i cili dyshohet ka kryer veprën penale “Marrje e Ryshfetit”.

Zyrtari në fjalë dyshohet se i kishte kërkuar një qytetari para për ti ndihmuar në një rast që viktima e kishte në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me një lëndë.

Pas pranimit të Informatës në fjalë dhe verifikimeve profesionale, Policia e Kosovës (NJRHKEK – Prishtinë) ka ndërmarr veprime të menjëhershme duke përfshirë edhe aplikimin e metodave të sofistikuara teknike të hetimit, dhe kanë arritur që të dyshuarin (zyrtar i Gjykatës) ta arrestojnë në flagrancë.

Personi i dyshuar për Veprat Penale të Korrupsionit si “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 dhe “Marrja e ryshfetit” nga neni 428 i KPRK-së, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kompetent është dërguar në mbajtje prej 48 orëve.

“Policia e Kosovës inkurajon të gjithë qytetarët që rastet e korrupsionit të raportohen tek organet kompetente kudo dhe kurdo që ato ndodhin, përderisa ju ri-konfirmojmë se PK po ndërmerr dhe do të ndërmerr veprime ligjore ndaj secilit individ që është i përfshirë në veprime të tilla korruptive, pavarësisht rolit dhe funksionit që ka”, thuhet në njoftimin e gjykatës.