I vdiqën dy anëtarë të familjes, zyrtari i Komunës së Podujevës vret veten me revole

Kronika February 21, 2019 - 17:41
Lajmet e fundit nga vendi!

Dyert e shtëpisë së familjes Emini nga Podujeva u hapën disa herë për të pame gjatë vitit të fundit. Tre anëtarë të kësaj familjeje ndërruan jetë për më pak së një vit. Dy prej tyre nga sëmundjet, e i fundit dyshohet se zgjodhi që t’i jepte fund jetës duke e qëlluar veten me armë. Express ka qëndruar dje gjatë ditës në shtëpinë e familjes Emini dhe ju sjell rrëfimin e familjarëve

Në lagjen Boroci në Shtedim të Podujevës ende ka shenja që të tregojnë se ku po mbahen të pamet e familjes Emini. 

Kjo lagje tashmë është mësuar me grumbullin e njerëzve që marrin rrugën drejt kësaj familjeje për ngushëllime. 

Vetëm gjatë vitit të kaluar, atyre u kanë vdekur tre familjarë. Të pamën e fundit e kanë hapur për familjarin e tyre F. Emini, i cili u gjet i vdekur para dy javësh në parkun e qytetit të Podujevës. 

Ai po dyshohet se i dha fund jetës qëllimisht duke kryer vetëvrasje.

Askush nuk po i di motivet që e çuan atë ta kryente këtë akt. Express, ka qëndruar në shtëpinë e të ndjerit. Familja e tij thotë se nuk kanë njohuri rreth motiveve që e çuan 57-vjecarin ta kryente këtë akt.

Shtëpia e të ndjerit

”Për besë nuk e dimë se çka ndodhi. Ende po na duket e gjitha ngjarja si ëndërr. Nuk po mundemi me e besu që ai e bëri atë fakt”, tregojnë nga familja e të ndjerit.

Tutje ata thonë se 57-vjecari nuk ka treguar asnjë shenjë depresioni apo diçka tjetër. 
Por historia e dhimbshme në familjen Emini të Podujevës nisi para disa viteve. Të njëjtit së fundmi i vdiq gruaja nga sëmundja e kancerit, si dhe vëllai.

“I patëm tri vdekje në shtëpi. Gruaja i vdiq para pak kohësh”, tregojnë tutje nga familja e të ndjerit.

F. Emini kishte punuar që nga pas lufta në komunën e Podujevës si Auditor i Brendshëm.

Ndërkohë, me rastin tashmë po merret edhe policia e Kosovës. Këta të fundit kanë deklaruar se hetimet janë duke i vazhduar.

Rrethanat e kësaj ngjarjeje për policinë ende janë të panjohura.

“Raportohet se pa shenja jete është gjetur viktima mashkull K-Shqiptar. Në afërsi të viktimës është gjetur edhe një pistoletë. Njësitet përkatëse janë duke u marrë me rastin”, thuhet në raportin e policisë.

E ndërkohë, gjatë muajit që e lam pas, mediat kanë raportuar për disa vetëvrasje në Kosovë. Një kishte ndodhur në shtime, ku një djal i hasretit i kishte dhënë fund jetës në vendin e tij të punës.

Vetëvrasje gjatë këtij viti kishte kryer edhe një 18-vjeçar nga fshati Dubravë e Istogut.