Arrestohet avokati që sinjalizoi abuzimin e së miturës nga Drenas

Kronika February 20, 2019 - 10:59
Lajmet e fundit nga vendi!

Prokuroria sapo ka arrestuar avokatin Gazmend Halilaj, i cili rreth dy javë më parë kishte sinjalizuar abuzimin seksual të nxënëses nga Drenasi.

Halilaj po pretendon se është arrestuar për shkak të zbulimit të rastit, ndërkohë prokuroria e as Inspektorati Policor ende nuk janë deklaruar për këtë çështje.

Këtë e ka konfirmuar përmes një postimi në Facebook vetë Halilaj.

Ai shkruan se arrestimi i tij ka ndodhur si shenjë hakmarrjeje.

“Dje e raportova skandalin e radhes nga hetueist e ipk. Qe i dhane deshmi l gazetares se ktv-se, lidhur me privatsin e viktimes te rastit ne Drenas. Shenje hakmarrje te njejtit sot me arrestuan”, ka shkruar Halilaj.

Para dy javësh, 16-vjeçarja nga Drenasi, kishte shkuar në polici për të denoncuar profesorin e saj. Por, në vend të gjetjes së ndihmës, ajo kishte gjetur një “padron” skllavërues policor.

Pas marrjes së deklaratës, fotografimit të zhveshur të viktimës dhe ekspertizës mjekoligjore, hetuesi V.V., nën kërcënim dhe shantazh e kishte detyruar të bënte seks me të. Pas shfrytëzimit seksual për më shumë se një vjet, vajza kishte mbetur shtatëzënë.

Hetuesi, e kishte detyruar vajzën ta abortonte në klinikën e gjinekologut Fehmi Ahmeti në Prishtinë.

Historia e dhunës ka marrë fund të martën kur hetuesi është arrestuar.

Përveç dhunës së ushtruar mbi të. V. V., e ka detyruar vajzën të abortojë fëmijën e tyre nën kërcënim. Aborti i paligjshëm është kryer më 15 janar të këtij viti në ordinancën e gjinekologut Fehmi Ahmeti, në Prishtinë.

Insajderi, ka hulumtuar disa javë këtë rast në të cilin është implikuar Prokuroria e Shtetit. Pas informimit nga Insajderi, Prokuroria kishte vepruar të martën e 5 shkurtit duke bastisur dhe duke e arrestuar hetuesin policor. /Insajderi