Denoncoi abuzimin e të miturës në Drenas, avokati refuzon mbrojtjen nga policia

Kronika February 14, 2019 - 20:17
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Avokati që denoncoi rastin e keqpërdorimit seksual kishte punuar si polic në të njëjtin stacion me Vesel Veselin

Iu ofrua mbrojtje nga ana e Policisë së Kosovës, por po ec i vetëm nëpër qytet.

Gazmend Halilaj, avokati që denoncoi rastin e keqpërdorimit seksual ndaj një vajze në Drenas, thotë se pavarësisht kërcënimeve ka refuzuar që familja dhe ai të ketë përcjellje të sigurisë.

“Më kanë ofru përcjelleje 24 orë, kam qenë kategorik, kam refuzu sepse nuk kam dasht që asnjë shpenzim të bëhet për mu...”.

Halilaj, i cili për 11 vite ka qenë në pozita të rëndësishme në stacionin e policisë në Drenas, ka folur edhe për arsyet pse atij i ishte ndërprerë kontrata e punës nga ky institucion.

“Krejt në fund janë kapur për një datë të lindjes, për një gabim që ka ndodhur në ofiqari, jam hetuar deri në fund...”

Për këtë rast dyshimi i falsifikimit kundër Halilajt, prokuroria ka marrë vendim mbylljen e hetimeve.

“Prokurori i çështjes, pas pranimit të kallëzimit penal të evidentuar PP/II. Nr. 5359/14, më 28.08.2014, ka nxjerrë aktvendim, me të cilin i pushon hetimet, kundër të njëjtit, me arsyetim se, pas vlerësimit të provave të siguruara, nuk është vërtetuar se i dyshuari ka kryer veprën penale, “Falsifikimi i dokumentit”, neni 398 par. 2 të KPRK-së”.

Pavarësisht këtij vendimi, Halilaj nuk u kthye në pozitën e kreut të inteligjencës në Policinë e Drenasit.

“Ju konfirmojmë se i njëjti ka qenë punonjës i Policisë së Kosovës. Nga Drejtoria për Standarde Profesionale janë zhvilluar hetime administrative dhe me pas nga Komisioni përkatës te njëjtit i është shqiptuar masa disiplinore ndërprerje e marrëdhënies së punës”.

E për moskthimin e tij në pozitë, Halilaj kërkoi hetim edhe nga Gjykata. Më 2015, Gjykata Themelore në Prishtinë kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme kthimin e Halilajt në punë dhe kompensimin rreth 20 mijë eurosh.

Por kësaj radhe, qe Halilaj ai që nuk pranoi të kthehet në stacionin e Policisë si zyrtar.

Dikur polici e tash avokati, thotë se me rreshterin Vesel Veseli pos që kishte ndarëë vendin e punës, kishte pasur edhe mospajtime profesionale. E raportet ishin acaruar pas një rasti gjyqësor, ku i përfshirë si avokat ishte vetë Halilaj, e palë tjetër Veseli dhe një familjar i tij.

“Ka qenë një lëndë në të cilën unë e kam marrë një palë, dhe klientit tim i është ricilësuar vepra dhe i njëjti është liruar, prej aty ka nisur një hakmarrje e paskrupullt e zotëri Veselit ndaj meje...”.

Ndërkohë, televizioni ka tentuar të marrë një qëndrim nga ana e avokatit të Vesel Veselit, Bekim Kafexhollit dhe i njëjti ka refuzuar të flasë për raportet e Veselit me Halilajn.