Vdes një person nga gripi i derrit, evidentohen edhe tri raste tjera

Kronika February 12, 2019 - 08:11
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Një person i prekur me gripin e derrit ka ndërruar jetë dy ditë më parë në Klinikën Infektive në Prishtinë, derisa edhe tre persona tjerë në vend tashmë janë të prekur nga ky grip. Po ashtu vetëm nga muaji janar i këtij viti e deri më sot katër persona kanë vdekur nga gripi sezonal, prej të cilit për më pak se katër muaj janë prekur mbi 24 mijë qytetarë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ramadan Jashari, nga fshati Pogragjë i komunës së Gjilanit, është viktima e parë e gripit të derrit, nga i cili tashmë janë prekur edhe qytetarë të tjerë në vend.

LEXO EDHE: Platforma për dialogun, e pakompletuar

Ai ka vdekur më 10 shkurt të këtij viti teksa ishte duke u trajtuar në Klinikën Intensive në Prishtinë.

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, ka thënë për “Zërin” se Jashari ishte infermier në këtë spital dhe se qe tri javë ishte i shtrirë në Kujdesin Intensiv në Klinikën Infektive në Prishtinë, ku nuk mundi ta përballojë këtë sëmundje.

“Qe tri javë ka qenë në Kujdesin Intensiv. Paraprakisht ai ka qenë duke punuar dhe nuk ka pasur ankesa për ndonjë sëmundje kronike eventuale”, ka thënë Hajrullahu.

Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka bërë të ditur se deri tani në Klinikën Infektive janë paraqitur katër raste me gripin AH1N1, i njohur te qytetarët si gripi i derrave. Zyrtarë të këtij instituti kanë tërhequr vërejtjen se virusi AH1N1 bën pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm.

“Deri sot nga Klinika Infektive janë raportuar katër raste të konfirmuara me influencë AH1N1. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës ka rritur vigjilencën për t’u përballur me raste eventuale të gripit AH1N1 dhe është në gjendje gatishmërie të përcjellë situatën epidemiologjike dhe për çdo ndryshim të situatës do të informoheni me kohë”, është thënë në një njoftim për medie. Përveç gripit AH1N1, fatal për disa pacientë ka qenë edhe gripi sezonal.

IKSHPK-ja ka bërë të ditur se mbi 24 mijë raste të dyshimta me grip që nga muaji tetor i vitit 2018 e deri më sot janë paraqitur në këtë institut. Sipas këtij instituti, me gjendjen aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë ekziston mundësia e rritjes së rasteve.

“Nga 1 tetori 2018 deri sot në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 24.725 raste të dyshimta me grip, 4.155 raste me infeksione respiratore akute dhe 29 raste me infeksione të rënda respiratore akute”, është thënë më tej në njoftim.

Për dy muaj katër persona vdesin nga gripi sezonal

Drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Hamdi Ramadani, ka thënë për “Zërin” se vetëm prej muajit janar të këtij viti e deri tani kanë vdekur katër pacientë, të cilët kanë qenë të prekur me grip.

Sipas tij, që nga muaji nëntor i vitit 2018 mbi 400 persona të prekur me grip janë paraqitur në këtë klinikë.

“Nga muaji nëntor i vitit të kaluar deri tani diku mbi 400 raste ka regjistruar Klinika Infektive. Deri ditën e diel ne i kemi pasur edhe 4 raste që kanë përfunduar jo mirë. Për momentin një të sëmurë e kemi në mjekim intensiv, pasi që ai ka edhe probleme serioze të mushkërive, probleme në zemër, ka sëmundjen e sheqerit dhe hipertensionin. Komunat që janë të prekura nga këto sëmundje janë: Gjilani, Mitrovica, Skenderaj, Fushë Kosova, Lipjani, Istogu, Podujeva e Prishtina”, ka thënë ai.

Ai ka bërë të ditur se pacientët e trajtuar në këtë klinikë kanë qenë të prekur me virusin A (virus sezonal), derisa ende nuk është vërtetuar se ndonjëri prej pacientëve ka qenë i prekur me gripin AH1N1.

“Te këto raste është vërtetuar virusi A, i cili di të shkaktojë edhe epidemi të përmasave të mëdha. Virusi A është virus sezonal, mirëpo në kuadër të tij ekzistojnë edhe shumë pika si A, H1 etj. Deri më sot raste të verifikuara të pacientëve tanë me sëmundjen e gripit të derrave nuk kemi pasur. Analizat mikrobiologjike mund ta vërtetojnë dhe ndoshta edhe mund të jetë ai virus, që njihet si gripi i derrave, i cili është edhe i rëndë dhe di të shkaktojë situatë të rëndë”, ka thënë ai.

Të sëmurët të lajmërohen sa më herët te mjeku

Ramadani ka thënë më tej se qytetarët duhet të vaksinohen, në mënyrë që gjendja e tyre shëndetësore të mos të komplikohet në rast të gripit. Sipas tij, të sëmurët duhet të lajmërohen sa më herët te mjeku.

“Ne kemi edhe staf, edhe kapacitet në nivel të duhur. Nuk e kemi situatën alarmante, situata është nën kontroll. Të sëmurët që janë me probleme të vjetra e kronike duhet të lajmërohen sa më herët në shërbimet shëndetësore, pasi që ecuria e sëmundjes do të jetë më e mirë dhe pa komplikime. Ne kemi terapi për këta të sëmurë, jemi mirë të pajisur me barna dhe me aparaturë”, ka thënë ai.

Sipas tij, të gjithë ata persona që kanë sëmundje kronike mund të vaksinohen edhe tani. “Muaji tetor dhe nëntor është koha për të bërë vaksinën, por edhe tani mund të bëjë vaksinim dikush që e ka shëndetin e dobët dhe është i sëmurë me sëmundje kronike”, ka shtuar ai.

Raste me grip, edhe në spitalet regjionale

Raste të personave të prekur me grip janë paraqitur edhe në Spitalin e Gjakovës.

Drejtori i këtij spitali, Ahmet Asllani, ka thënë për “Zërin” se rastet janë trajtuar në spital dhe se nuk kanë qenë serioze.

“Në Prishtinë nuk e kemi dërguar asnjëherë askënd për shkak të komplikimeve. Të gjitha rastet janë trajtuar në Spital. Në spitalin tonë nuk e kemi pasur asnjë rast serioz sa i përket gripit dhe komplikimeve të tij”, ka thënë ai.

Ndërsa drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, ka thënë për gazetën se duke e krahasuar me vendet tjera në rajon, Kosova ka më së paku pacientë të cilët kanë vdekur si pasojë e gripit.

“Nuk mundemi ta identifikojmë saktë burimin e infeksionit, por ai mund të bartet përmes ajrit dhe frymëmarrjes. Nga situata aktuale që është në Shqipëri dhe në çdo pjesë të regjionit Kosova ka më së paku të regjistruar raste të vdekjes prej gripit karshi shteteve tjera”, ka thënë ai.