Kërkohet dënim maksimal për përdhunuesit e vajzës së mitur

Kronika February 09, 2019 - 08:15
Lexo tjera detaje

Marshi protestues, i cili ka nisur para gjimnazit “Skënderbeu” dhe ka përfunduar para Stacionit të Policisë në Drenas, pas ngjarjes tronditëse të përdhunimit të të miturës A.G. nga Drenasi nga profesori i saj, Shkëlzen Xhekaj e polici Vesel Veseli, ka siguruar se vendi ku është bërë krimi kurrë nuk do të jetë i kriminelëve, shkruan Gazeta "Zëri".

Pas protestës në Prishtinë të enjten, shoqëria civile ka organizuar protestë edhe në Drenas të premten pas ngjarjes tronditëse të përdhunimit të të miturës A.G. nga Drenasi, nga profesori i saj Shkëlzen Xhekaj e polici Vesel Veseli. Marshi protestues është nisur para objektit të gjimnazit “Skënderbeu” në Drenas, aty ku viktima po vijonte mësimet dhe ku profesori po mbante mësim, ndonëse qëmoti dihej se ai, Shkëlzen Xhekaj, kishte abuzuar me të miturën, nxënëse e kësaj shkolle, e cila atëherë ishte nën moshën 16-vjeçare. Gjatë gjithë marshit protestues, i cili është organizuar me moton “Pro mësimit, jo përdhunimit”, protestuesit kanë brohoritur shumë fjalë “miradije” për të përfshirët në këtë skandal: “Marre, marre”, “Kriminelët në burg”, “Ti je m*t e jo polic”, “Mësues e përdhunues”, “Inspektues e përdhunues”, “Krim, krim”, “Ti je mësues përdhunues”, “Viktima denoncon, Policia dhunon” e të tjera. 

Në protestë merr pjesë edhe kryetari i Drenasit

Në protestën e së premtes kanë marrë pjesë edhe mësimdhënës të gjimnazit “Skënderbeu”, ndërsa ndër të parët ka dalë kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci. Protestuesit, që mbanin në duar shumë parulla, në mesin e të cilave edhe “Ti s’je mësues, je përdhunues”, “Pro mësimit, jo përdhunimit”, “Me më mësu, jo me m’dhunu”, para gjimnazit “Skënderbeu” kanë kërkuar që siç kanë thënë ata “mësuesit pedofil” t’i jepet dënimi maksimal. Një prej protestuesve është zotuar se do të pësojnë shumë më keq kushdo që tenton sërish të abuzojë seksualisht.

Altina Nika, në emër të Këshillit Rinor në Drenas, tha se shkolla, e cila ishte dikur ëndërr tash është shndërruar në ankthin më të trishtuar dhe kjo si pjesë e një sistemi që dhunon nxënëset e vet. "Kjo shkollë na është shndërruar jo në ëndërr, po në ankthin më të trishtë. Sot secila po e pyet veten, çka nëse kisha qenë unë ose shoqja ime. Jemi bërë pjesë e një sistemi që i përçmon, i përdhunon nxënëset e veta. E tash në emër të viktimës e shumë viktimave që s'kanë guxuar të flasin po pyes a është shkolla me të trajtu si nxënëse ose si objekt. Na kemi heshtur me vjet e heshtja s'falet ma", ka thënë ajo.  

Marshi protestues ka vazhduar rrugëve të Drenasit dhe pastaj është ndalur para objektit të Stacionit të Policisë në Drenas. Policët kishin krijuar një kordon, derisa protestuesit ofroheshin fare pranë tyre. Njëri nga protestuesit ua kishte kërkuar policëve ta bëjnë një hap prapa, siç tha ai “për të treguar se jeni me ne, e jo me policin kriminel”. Ai gjithashtu ka kërkuar nga policët që të distancohen nga kolegu i tyre, “për të treguar se ata janë ndryshe”.

Ai gjithashtu bëri disa kërkesa në emër të protestuesve: “që mësuesi pedofil, polici kriminel dhe gjinekologu abuzues të dënohen me burg, që t’u jepet dënimi maksimal, që atyre t’u ndalohet përgjithmonë të ushtrojnë profesionet e tyre dhe që të hetohen dhe të zbardhen edhe rastet e mëhershme të abuzimeve, për të cilat është folur dhe ende flitet në Drenas”. “Ky vend është i qytetarëve, nuk do të lejojmë kurrë që të jetë i kriminelëve”, janë shprehur protestuesit. Ata i kanë ndarë një “mirënjohje” policit Vesel Veseli, duke e shpallur përdhunues. Për një moment protestuesit filluan të gjuajnë vezë në drejtim të policëve, por organizatorët intervenuan shpejt dhe gjithçka pastaj ishte nën kontroll. Ndërsa një nga organizatorët e kësaj proteste u ka bërë thirrje protestuesve që të mos gjuajnë me vezë, pasi siguroi se protesta është organizuar bashkë me Policinë. “Mos gjuani, ne nuk jemi dhunues, jemi protestues. Policia e ka organizuar bashkë me ne protestën, andaj mos gjuani”, ka bërë thirrje organizatorët e protestës.

Derisa mbahej protesta në Drenas në Kuvendin e Kosovës mbahej seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, në të cilën është diskutuar për ngjarjen e shëmtuar. Në ndërkohë ministri Drejtësisë, Abelard Tahiri, duke e vlerësuar rastin tepër shqetësues ka siguruar se të gjithë ata që kanë abuzuar me të miturën do ta marrin dënimin e merituar.  Sipas tij, është tragjike që një person i cili shkon për të kërkuar ndihmë, në vend se t’i ofrohet ndihma, abuzohet pamëshirshëm nga ai që është i obliguar ta mbrojë.

Veseli: Të dënohen pamëshirshëm

Edhe kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se të përfshirët në këtë rast dhe përgjithësisht ata që cenojnë moralin do të dënohen pamëshirshëm. “Në republikën tonë nuk është shumë traditë, por ka ndodhur një abuzim me një të mitur. Në botën e jashtme kjo quhet pedofili, është po ashtu keqpërdorim i pozitës zyrtare. Këto gjëra nuk do të tolerohen. T’i mbrojmë institucionet për shkak të njerëzve të krimbur. Nuk po gjej fjalë për të shprehur, por t’i ruajmë institucionet, e kam fjalën për Policinë e Kosovës që kryejnë detyrën me përgjegjësi. T’i ruajmë mjekët tanë dhe të mos i dëmtojmë për dikë që e meriton për t’i shkuar deri në fund edhe drejtësia. Njerëzit e tillë të marrin dënimin e merituar. Do të jemi të pamëshirshëm ndaj çdo veprimi që cenon moralin tonë”, ka thënë mes tjerash kryparlamentari Veseli. 

Ndërkaq në Drenas ende është duke u komentuar deklarata e ish-asamblistit Xhavit Drenori, i cili ka thënë se ka ndodhur edhe një rast tjetër kur polici Vesel Veseli ka abuzuar me një punëtore të Komunës së Drenasit, duke e akuzuar kryetarin Lladrovci se ka qenë në dijeni për këtë rast. “Ka dyshime që kryetari Lladrovci ka qenë i informuar më herët me veprime të paligjshme të policit Vesel Veseli, të natyrës së njëjtë me një zyrtare komunale. Po t’i shkohej deri në fund atij rasti nuk do të ndodhte ky i 16 -vjeçares. Një pyetje, ku mbeti rasti, kush e fshehu?”, ka shkruar Drenori.

Lladrovci, padi ndaj Drenorit

Por ka reaguar menjëherë kryetari i Drenasit, i cili ka bërë padi ndaj Drenorit për “Shpifje”, duke kërkuar 20 mijë euro dëmshpërblim. “Sapo kam deponuar padi për ‘Shpifje’ ndaj ish-asamblistit komunal Xhavit Drenori, i cili situatën tejet të rënduar në komunën tonë e ngarkon edhe më shumë me shpifje dhe me dezinformata. Kjo është padia e radhës ndaj Drenorit, për ‘Shpifje’. Pres nga institucionet e drejtësisë të marrin vendim meritor, ngase nuk është hera e parë që Xhavit Drenori vihet në fokus të medieve me shpifje e insinuata të turpshme”, ka thënë Lladrovci.

Drenori në përgjigjen e tij ka thënë se Lladrovci me 20 mijë euro mund ta blejë një kope delesh. “Delet në vlerë prej 20 mijë eurosh edhe pa padi ia kisha ble, por ama me kope duhet me ia ble edhe një qen besnik që ia ruan ato. Pra ky mentaliteti i kërcënimit, i shantazhit, i frikësimit e krejt këto duke thënë që e ka mirë me shefin dhe sistemin e ka në dorë është pikërisht mentaliteti i policit të akuzuar, i cili e ‘kishte përvetësuar’ viktimën. E unë këtë mentalitet e luftoj, pra nuk i nënshtrohem”, ka shkruar Drenori.

 Derisa po mbahej protesta u dha lajmi se polici Vesel Veseli ka pranuar fajësinë për “Keqpërdorim dhe abuzim seksual” që i ka bërë nxënëses nga Drenasi, por protestuesit kanë reaguar menjëherë duke e quajtur atë “plehra” që duhet të dënohet me dënimin më të rëndë të mundshëm.

Ambasada e Francës: Faktet e raportuara nuk mund të tolerohen

Ambasada e Francës në Kosovë ka reaguar lidhur me rastin e fundit në Drenas, ku një nxënëse dyshohet se është abuzuar nga profesori e më pas edhe nga hetuesi policor. Përmes faqes së tyre në “Facebook” Ambasada Franceze ka thënë se Franca i mbështet viktimat e dhunës seksuale në Kosovë, duke inkurajuar drejtësinë që të veprojë sa më shpejt. “Franca i mbështet të gjitha viktimat e dhunës seksuale në Kosovë. Faktet e raportuara nuk mund të tolerohen. Drejtësia duhet të veprojë sa më shpejt të jetë e mundur”, shkruhet në postimin e Ambasadës së Francës, të cilin e kanë shoqëruar me një foto nga protesta e djeshme para Stacionit të Policisë në Prishtinë.

Polici nuk e pranon fajësinë

Polici Vesel Veseli u raportua se kishte pranuar fajësinë për “Keqpërdorim dhe për abuzim seksual”, që i ka bërë nxënëses në Drenas. Për “Express”-in ndryshe tha prokurori i shtetit Ibrahim Berisha, ku konfirmoi se i dyshuari nuk e ka pranuar fajësinë për këtë rast. Polici që po dyshohet për abuzimin seksual të nxënëses nga Drenasi është raportuar se ka pranuar fajësinë për “Keqpërdorimin dhe abuzimin seksual”. Gazeta “Express” ka biseduar me prokurorin e Shtetit, Ibrahim Berisha, i cili ka thënë se ky lajm nuk është i vërtetë dhe se Vesel Veseli nuk e ka pranuar fajësinë. “Jo, jo, nuk e ka pranuar fajësinë. Atij veç i është caktuar masa e paraburgimit e nuk ka të bëjë me pranim të fajësisë kjo”, ka thënë Berisha.

Policit Vesel Veseli i është caktuar masa prej 30 ditësh paraburgim, ndërsa profesori që kishte përdhunuar të miturën është arrestuar. Njësoj edhe gjinekologu që kishte kryer abortin e saj./ZËRI