Si erdhi deri tek vdekja e kosovarit në Jemen nga shpërthimi i minave

Kronika January 23, 2019 - 17:34
Lexo Detajet

Të dielën në Jemen, si pasojë e një eksplodimi humbën jetën pesë ekspertë të deminimit, në mesin e tyre edhe një kosovar. Sipas mediave ndërkombëtare, ekipi pjesë e të cilit ishte edhe Agim Hoti nga Gjakova, vdiqën si pasojë e shpërthimit të një makine e cila mbante mina të shkatërruara. Express të mërkurën ka qëndruar në shtëpinë e të ndjerit, ku edhe kanë rrëfyer për vdekjen e 43-vjeçarit.

Këtë javë, Agimi do të vinte në Kosovë për të qenë afër familjes së tij në përvjetorin e vdekjes së nënës, por kjo nuk do të jetë e mundur, pasi 43-vjeçari nga Gjakova vdiq të dielën në Jemen nga një shpërthim i minave.

Që nga gushti i këtij viti, Agimi kishte shkuar në Jemen, për të trajnuar ushtarët e atjeshëm për deminim, ku edhe kishte lidhur kontratë 1-vjeçare.  Nga ajo periudhë, ai ka qenë dy herë në Kosovë për të vizituar familjen e tij.

Image

Kontakti i fundit i familjes me Agimin ka qenë të shtunën, ku ai ka biseduar me bashkëshorten e tij, të cilës i ka thënë se të dielën do të marrë pjesë në një trajnim të ushtarëve për deminim, e ky ishte edhe kontakti i fundit i familjes me të.

Motra e Agmit, Nailja, ka rrëfyer për se si e kanë marrë lajmin për vdekjen e vëllait.

“Me datën 20 kemi marrë një telefonatë nga udhëheqësi i misionit atje, i cili na ka njoftuar se vëllai ynë ka ndërruar jetë, si shkak i një eksplodimi, ashtu na është raportuar fillimisht dhe më vonë e kemi lexuar edhe në mediat ndërkombëtare të njëjtën gjë. Ndërkohë kemi kontaktuar me përgjegjësin e misionit por gjithashtu edhe me drejtorin e misionit në Angli, me të cilin jemi në kontakt vazhdimisht”, është shprehur Nailja.

Ajo thotë se ende nuk kanë në duar një raport zyrtar se si vdiq vëllai i saj, por nga informatat e para u është thënë se ka ndodhur një eksplodim dhe aty ka humbur jetën Agimi bashkë me katër persona të tjerë.

“Në telefon na kanë thënë se ka ndodhur një eksplodim, e lexuam se kanë qenë tri vetura, por ne nuk e dimë ende, por këta nuk kanë qenë duke deminuar, sepse në bisedën e fundit na ka thënë se do të ketë trajnim, d.m.th. nuk kanë qenë duke bërë deminim, duket se një transport i tyre ka qenë por nuk jemi të sigurt sepse nuk kemi një raport të shkruar. Ne ende nuk e kemi pranuar një raport zyrtar, të cilin kompania është e obliguar ta përpilojë, që të kem i një informacion më të hollësishëm”, rrëfen Nailja.

Ajo thotë se sot janë bërë 48 orë që nga vdekja e vëllait, ndërkaq procedura për investigim të rastit kërkon 48 deri në 72 orë.

“48 deri në 72 orë duhet të bëhet investigimi i rastit dhe kjo nënkupton se trupi i pajetë nuk mund të lëshohet për t’u sjellë në Kosovë. Pastaj duhet të nënshkruhet një kontratë e konfirmimit të vdekjes dhe fillon procedura e dërgimit të arkivolit. Kemi bërë kërkesë gjithashtu në Ministrinë e Punëve të Jashtme, të cilët na kanë dhënë përkrahje të madhe morale. Vullneti i tyre është që të na ndihmojnë dhe ta sjellin trupin e pajetë sa më shpejtë në Kosovë”, thekson Nailja.

Ajo ka treguar se Ambasada e Kosovës në Riad të Emirateve të Bashkuara ka caktuar një takim me Ambasadën e Jemenit në Riad, janë takuar dhe sipas informacioneve do të ndikojnë që të shpejtohet procedura e kthimit të trupit të pajetë të Agimit në Kosovë.

Ndërkaq, që nga viti 1998, Agimi ka filluar me misionet për deminim që kanë qenë në Kosovë. Motra e tij thotë se  aty edhe është njoftuar me punëdhënësin i cili e ka ftuar që t’i bashkangjitet në Jemen.

Motra e tij thotë se Agimi asnjëherë nuk ka thënë se është i rrezikuar, sepse ai kishte rolin e trajnuesit.

Ndërkaq mediumi ka kontaktuar edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, të cilët kanë konfirmuar vdekjen e Agimit dhe kanë thënë se janë duke punuar që ta kthejnë në Kosovë trupin e pajetë.

“Ministria e Punëve të Jashtme nëpërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Riad është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetit e shtetit pritës, ku ka ndodhur incidenti, kompaninë respektive, ku ka punuar tashmë i ndjeri dhe me familjarët e viktimës për të ndihmuar dhe përshpejtuar procedurat e kthimit të trupit të viktimës në Kosovë”, ka thënë Sami Kastrati, Drejtor i Komunikimit në MPJ.

Agimi ka lënë pas vetës gruan dhe dy fëmijë, një vajzë 16-vjeçare dhe një djalë 15-vjeçar.

Lajmin për vdekjen e Agimit dhe katër personave tjerë e ka dhënë të dielën ndihma humanitare dhe qendra e ndihmës së mbretit Salman (KSRelief), të cilët kanë raportuar se një makinë që mbante mina që duhej të shkatërroheshin shpërtheu në provincën qendrore Marib.

Jemeni i shkatërruar nga lufta është shembulli i asaj që OKB e quan krizën më të keqe humanitare në botë, me 24 milionë njerëz që kanë nevojë për ndihmë dhe miliona në prag të urisë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se rreth 10,000 jemenas janë vrarë që nga viti 2015, kur një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Arabia Sudite ndërhyri në mbështetje të qeverisë në luftën kundër rebelëve të mbështetur nga Irani.