Arrestohet kosovari që dyshohet se vrau bashkëshorten e tij në Gjermani

Kronika January 23, 2019 - 17:07
Lexo Detajet

Prokuroria Themelore në Gjilan në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Republikës Federale të Gjermanisë, ka ndaluar të dyshuarin Durmish Raifi, në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Vrasje e rëndë’’, duke vrarë bashkëshorten e tij, në Gjermani.

Ekziston dyshimi i bazuar që, më 11 prill 2018, në qytetin Essen, në Gjermani, i dyshuari në banesën e tij, e ka vrarë bashkëshorten e tij, tani të ndjerën J.R dhe pas kryerjes së kësaj vepre penale, është larguar nga vendi i ngjarjes duke marrë me vete edhe dy fëmijët e tij të mitur, njëri i moshës 10 vjeçare, ndërsa tjetri 15 vjeç.

Gjithashtu, i njëjti pas arratisjes, ka lënë pas vajzën e tij të mitur, të cilës nga autoritetet gjermane, i’u ka caktuar kujdestari ligjor.

I dyshuari pas arratisjes nga organet e ndjekjes,  fëmijët e tij, të cilët kanë shtetësi gjermane i ka mbajtur të mbyllur, duke paraqit rrezik të madh për ta. Nga autoritetet gjermane të dyshuarit i’u është marrë e drejta prindërore, në bazë të Aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Essen, të cilin aktgjykim e ka njohur Gjykata Themelore në Gjilan.

Pas arrestimit të të dyshuarit, fëmijët, janë strehuar përkohësisht në Strehimoren për Mbrojtjen e Viktimave, në Gjilan.

Prokuroria Themelore në Gjilan, brenda afatit ligjor, do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në kohëzgjatje prej 40 ditësh, në Gjykatën kompetente në Gjilan.