Adelina Ismaili nuk paraqitet në gjykatë në rastin 'Sekiraqa'

Kronika January 23, 2019 - 16:32
Lexo Detajet

Adelina Ismaili ishte dashur të jetë sot në gjykatë për të dëshmuar për rastin e Enver Sekiraqës, që akuzohet se ka lidhje me vrasjen e policit Triumf Riza. Gjykata, megjithatë e kishte ftuar Ismailin, por nuk ka arritur t’ia gjejë adresën dhe numrat e saktë kontaktues. Për shkak të këtij dështimi, u pajtuan që deklaratat e saj të mëhershme në procesin e kaluar gjyqësor, të konsiderohen të lexuara.

Është duke vazhduar rigjykimi për vrasjen e policit Triumf Riza, ku si nxitës i kësaj vepre po akuzohet Enver Sekiraqa.

Gjyqi momentalisht është duke u zhvilluar me dëshmi të dëshmitarëve. Gjithsejtë kanë mbetur edhe katër dëshmitarë të prokurorisë që duhet të dëgjohen lidhur me këtë rast.

Trupi gjykues i këtij rasti, me kryetar gjyqtarin Shasivar Hoti, bënë të ditur se Gjykata ka lëshuar urdhëresë për verifikimin e adresës së Adelina Ismailit dhe numrat kontaktues, shkruan Express.

Kjo ka dështuar për shkak se, u vërtetua se adresa dhe numrat janë jo valid e jo funksional. Gjithashtu, Gjykata nuk ka arritur ta gjejë vendndodhjen e këngëtares Adelina Ismaili.

Si dëshmitare e rëndësishme e këtij procesi gjyqësor, kështu siç e vlerësoi Prokurori i lëndës Haki Gecaj, tha se pajtohet që deklaratat e saj të dhëna më parë në polici e prokurori, të pranon si të lexuara.

“Dëshmitarja që ka pasur të dëgjohej sot është dëshmitare e rëndësishme, mirëpo nga shkresat e lëndës që unë i posedoj, ajo ka dhënë deklaratë në polici dhe në prokurori, gjithashtu edhe në shqyrtimin e kaluar gjyqësor..., unë do të isha pajtuar që të lexohen deklaratat e kësaj dëshmitareje të dhëna më parë”, tha prokurori Gecaj.

E avokatja e të akuzuarit Sekiraqa, Kosovare Kelmendi tha se Adelina Ismaili është sqaruar lidhur me deklaratat e saj, të cilat i ka dhënë në fazat e mëhershme.

“Mbrojtja pajtohet me leximin e deklaratës së dëshmitares, në shqyrtimin e kaluar gjyqësor, për faktin se gjatë atij gjykimi, dëshmitarja në fjalë është sqaruar edhe lidhur me deklaratat e saj të cilat i ka dhënë në fazat e mëhershme. Andaj, unë vetëm do të lusja trupin gjykues që gjatë leximit të deklaratave të kësaj dëshmitareje, sigurisht të ketë parasysh vetëm rrethanat lidhur me pikën e 1 të aktakuzë”, tha Kelmendi.

Pas pajtimit të palëve, u dha aktvendim për aprovimin e kërkesës së prokurorit se deklaratat e dëshmitares Adelina Ismaili, të dhëna nga fazat e procedurës, të konsiderohen si të lexuara.

Por, kur u fol për dëshmitarët që do të japin dëshmi në seancat e ardhshme, mos pajtime pati midis prokurorit dhe avokates së Enver Sekiraqës.