Dosja e Prokurorisë: Vajza nga Mitrovica shitej për 10 euro në Skenderaj

Kronika January 22, 2019 - 22:09
Lexo tjera detaje

Në disa faqe kërkesë për caktimin e paraburgimit prokurori Ismet Ujkani ka renditur funksionimin e një dukurie shqetësuese në qytetin e Skenderajt.

Në një lokal muzike një vajzë nga Mitrovica pretendohet se u shfrytëzua seksualisht për disa muaj fillimisht nga pronari i lokalit e më pas edhe nga klientët e tjerë.

N.N. (emër i njohur për redaksinë), identiteti i të cilit nuk publikohet për shkak të rrethanave të rastit, është duke u hetuar nga Prokuroria pasi e kishte marrë vajzën nga Mitrovica dhe e kishte punësuar si kameriere në lokalin e tij. Aty, sipas Prokurorisë, vajza paguhej me 10 euro në ditë ndërsa pronari e kishte obliguar të ulej me klientët dhe t’i joshte seksualisht.

Prokurori tutje sqaron se gjatë kësaj kohe i dyshuari kishte kryer marrëdhënie me vajzën ndërsa kulmi kishte arritur kur ajo ishte obliguar të kryente marrëdhënie edhe me disa klientë të zonës.

Prokuroria përshkruan të paktën tri raste kur i dyshuari e kishte obliguar viktimën të kryente marrëdhënie seksuale me klientët e lokalit të cilët më pas kishin paguar para tek pronari.

Dokumenti i siguruar nga Kallxo.com sqaron se për ta arritur qëllimin e tij i dyshuari e kishte përdorur kërcënimin me një armë ndërsa disa herë e kishte mbyllur edhe derën e lokalit.
Dëshmitë për rastin janë paraqitur sot para Gjykatës Themelore të Mitrovicës, ku i pandehuri ka mohuar fajësinë ndërsa ka kërkuar të mbrohet në liri.

Sipas vendimit të siguruar  gjykatësi Ali Kutllovci ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të pandehurin. Ai është arrestuar të martën gjatë një aksioni të Policisë.