Ja si e detyronte vushtrriasi viktimën në prostitucion lokaleve të Prishtinës

Kronika January 22, 2019 - 08:12
Lexo Detajet

Në Gjykatën e Mitrovicës ka nisur rigjykimi i A.H., i akuzuar për veprën penale – trafikim me qenie njerëzore.

Pas leximit të aktakuzës prokurorja Zejnie Kela, A.H. tha se ndihet i pafajshëm.

Akuza e Prokurorisë së Mitrovicës thotë për A.H. se në data të papërcaktuara në interval kohor nga viti 2011 deri në tetor të vitit 2012 në vazhdimësi në hotel “Adria“ dhe restorantet “Baron“ dhe “Rings“, në Prishtinë ka marrë pjesë në trafikimin e njerëzve.

I njëjti thuhet se fillimisht e kishte rekrutuar të dëmtuarën A.T., duke përdorur forcën dhe forma tjera të shtrëngimit, duke e mbajtur nën kontroll të rreptë e të robëruar.
Sipas akuzës, i pandehuri fillimisht kishte hulumtuar persona të përshtatshëm me gjendje të mirë financiare për t’i joshur, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete.

Kurse më pas e dëmtuara A.T. nga i akuzuari ishte detyruar që personave të tjerë t’u ofrojë shërbime seksuale kundrejt një pagese dhe përfitimeve të tjera, e të cilat më pas ajo ia kishte dorëzuar të pandehurit.

Ndërsa shumat e parava që merrte e dëmtuara nga personat e ndryshëm për kryerjen e këtyre shërbimeve silleshin prej 20 deri në 1.000 euro.

Me këtë i akuzuari A.H. ngarkohet për kryerjen e veprës penale – trafikim me njerëz.
Pas kontrollit që ishte bërë në banesën e tij në Vushtrri ishte gjetur 1.13 gram marihuanë, të cilën ia kishte dërguar të dëmtuares A.T., meqenëse e njëjta ka bashkëjetuar me të pandehurin, thuhet në akuzë.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale – blerja, posedimi, shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.

Po ashtu, në kohë të panjohur në mes të viteve 2011 dhe tetor 2012, të dëmtuarën A.T. e kishte detyruar përmes armës së zjarrit që të zhvishet duke i vënë pistoleten mbi trup.

Për këtë akuzohet se ka kryer veprën penale – përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm.

Gjithashtu i pandehuri akuzohej edhe edhe për kryerjen e veprës penale – lëndim i lehtë trupor, por për këtë vepër ka rezultuar se ka arritur parashkrimi absolut andaj edhe Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale.

Gjykata Themelore e Mitrovicës në dhjetor të vitit 2014 të pandehurin  e kishte liruar nga akuza për trafikim me njerëz, ajo për narkotik dhe atë të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm.

Ndërsa i njëjti ishte shpallur fajtor për veprën penale – lëndim i lehtë trupor.
Kurse Gjykata e shkallës së parë kishte refuzuar akuzën për veprën – mbajtja në pronësi ose posedim i paautorizuar i armëve.

Por, Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim çështjen duke e vlerësuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës se me rastin e marrjes se vendimit nga shkalla e parë ishin bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Sipas aktvendimit të Apelit, të siguruar nga kallxo.com, “shkalla e parë kishte bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të ndërlidhura me bazën ankimore vërtetim i gabuar i gjendjes faktike që e vënë në dyshim edhe aplikimin e drejtë të ligjit penal”.

Kurse meqenëse çështja është kthyer në rigjykim me rastin e mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, fjalën hyrëse e kanë dhënë prokurorja Zejnie Kela, mbrojtësi i viktimave Eron Prekazi dhe mbrojtësi i të pandehurit, avokati Kapllan Baruti.

Për shkak se dëshmitarët A.T. dhe F.Z. nuk kanë prezantuar në seancë, ndonëse ishin ftuar në mënyrë të rregullt, gjyqtari i rastit, Burim Ademi, e ka shtyrë seancën.