Plagosi aksidentalisht shokun e tij, ndalohet për 48 orë

Kronika January 21, 2019 - 20:22
Lexo Detajet

Një person është ndaluar për 48 orë pasi ekziston dyshimi i bazuar se plagosi aksidentalisht shokun e tij me revole të llojit Ekol në Bllatë të Kamenicës, njofton Prokuroria Themelore e Gjilanit.

I dyshuari sipas njoftimit po ashtu armën e zjarrit e mbante pa leje, transmeton  “Zeri.info”.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, sot, rreth orës 17:30 minuta është njoftuar për një rast, i cili ka ndodhur në komunën e Kamenicës, në të cilin i dyshuari M.E., aksidentalisht ka plagosur me armë shokun e tij.

Ekziston dyshimi i bazuar, se më 21 janar 2019, rreth orës 15:35 minuta, në rrugën e fshatit Bllatë, komuna e Kamenicës, i dyshuari M.E. (1995), nga pakujdesia ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që derisa kishte qenë në veturë me shokun e tij, të dëmtuarin Q.S. (1999), duke provuar revolen e llojit ‘’Ekol’’, aksidentalisht ka shtënë brenda veturës, me ç’rast edhe e ka plagosur të dëmtuarin, i cili për shkak të lëndimeve trupore është dërguar për tretman mjekësor, në Spitalin Regjional në Gjilan dhe është jashtë rrezikut për jetë.

Gjithashtu, i njëjti pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, ka mbajtë në pronësi armë zjarri, e cila edhe është sekuestruar nga policia.

Prokuroria menjëherë pas njoftimit me rastin, ndaj të dyshuarit ka nxjerrë aktvendim mbi ndalim, në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale ‘’Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’’ nga neni 365 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 374 të KPRK-së.