Burri nga Skënderaj dyshohet se për 15 euro e shiste për seks vajzën nga Mitrovica

Kronika January 21, 2019 - 19:49
Lexo Detajet

Gjykata e Mitrovicës ka vendosur rreth kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për shtetasin kosovar R.L., 60 vjeçar.

“Gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në seancën e mbajtur ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe i ka caktuar të dyshuarit masën e paraburgimit prej një (1) muaji”, njofton Prokuroria.

Sipas njoftimit të Prokurorisë në Mitrovicë, i njëjti dyshohet se gjatë muajit shkurt 2018 ka marrë pjesë në trafikimin e njerëzve, ashtu që të dëmtuarën M.H, pasi e ka takuar në Mitrovicë, e ka transportuar me veturën e tij dhe e ka strehuar në lokalin e tij në Skenderaj.

Po ashtu në njoftim thuhet se i dyshuari,  me anë të mashtrimit dhe duke e shfrytëzuar pozitën e saj e ka rekrutuar dhe e ka detyruar që të punojë kameriere në lokalin e tij, me premtimin se kinse do ta paguajë. Të dëmtuarën e ka mbajtur nën kontroll duke ia mbyllur derën e lokalit. Po ashtu e ka detyruar që të ulet me mysafirët e lokalit të tij, t’i joshë seksualisht ata e po ashtu e ka kërcënuar me anë të revoles, e ka shfrytëzuar vetë seksualisht dhe për përfitim material prej 10-15 euro e ka detyruar të ketë marrëdhënie seksuale me persona tjerë.

Po ashtu, i dyshuari ka poseduar dhe mbajtur në pronësi armë në kundërshtim me ligjin mbi armët në Kosovë, e atë 4 revole dhe një sasi të fishekëve, që i janë gjetur dhe konfiskuar gjatë kontrollit nga ana e Policisë.

Me këto veprime, i dyshuari ngarkohet  se ka kryer veprat penale “trafikimi me njerëz”, dhe “mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të pa-autorizuar të armëve”.