Analisti politik kosovar i ka disa dyshime për vdekjen e Rugovës

Kronika January 20, 2019 - 10:22
Lexo Detajet

Analisti politik Haki Abazi, përmes një video lidhjeje për emisionin “Personale”, në RTV Dukagjini ka hedhur dyshime se ish-presidenti Rugova mund të ishte helmuar dhe se vdekja e tij nuk ishte nga sëmundja.

Abazi ka thënë vdekja e Rugovës duhet të shihet e ndërlidhur me vdekjet e bashkëpunëtorëve të tij pas luftës.

“Këta njerëz që janë vrarë, kanë qenë pengesë për ardhjen në pushtet të disa njerëzve që deri në atë kohë nuk kanë arritur në asnjë formë të vendosin fuqinë e tyre në elektoratin e Kosovës”.

“…Vrasja e Uk Bytyqit, plagosja e Fetah Rudit, vrasja e Xhemail Mustafës, Enver Malokut dhe vrasja e mëvonshme e Tahir Zemajt, bashkuar me idenë që ndaj Rugovës janë bërë edhe disa atentate të pasuksesshme për ta eliminuar nga skena politike, janë dyshime se rrjedhimisht nuk kishte mbetur formë tjetër për të eliminuar fizikisht Rugovën përmes helmimit. Formë kjo e përdoruar ndaj Jaser Arafatit apo edhe në disa raste të tjera në botë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Analisti ka përmendur edhe një rast tjetër, që sipas tij është dyshim i fortë se Rugova ishte tentuar të eliminohej fizikisht.

Ai thotë se edhe rrëzimi i avionit të OKB-së në Mitrovicë në nëntor në vitit 1999, ku humbën jetën 24 persona ishte një plan për eliminimin e Rugovës.

“Dua të përmend edhe një dyshim tjetër të bazuar, që mund të ketë pasur nisma për eliminimin e Rugovës. Në rastin e rrëzimit së avionit të Kombeve të Bashkuara në pjesën veriore të Kosovës, në njërin nga fluturimet ishte planifikuar të kthehej edhe Rugova nga Italia”.

Abazi ka thënë se këto të dhëna shtojnë edhe më shumë dyshimet se si vdiq Rugova dhe cila ishte diagnoza e sëmundjes së tij.