Prokuroria fillon hetimet për tenderin e qumështit në Prishtinë

Kronika January 18, 2019 - 11:35
Lexoni detajet

Lëvizja Vetëvendosje sot ka mbajtur konferencë për media për keqpërdorimet në Komunën e Prishtinës, me tenderin për qumështin. Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka folur për keqpërdorimin e Komunës me shujtat respektivisht me çmimin e qumështit i cili siç ka thënë ajo për sasinë dhe cilësinë e njëjtë tani komuna ka paguar mbi 500 mijë euro më tepër, raporton “Zëri.info”.

“Ne në mandatin e parë të Vetëvendosjes në Prishtinë përveç përmirësimit të shërbimeve të qytetarëve patëm projekt edhe për shujtat për fëmijë, kjo u bë për fëmijët deri në klasën e pestë për shkak se kaq kishim buxhet. Tani që me komunën nuk udhëheqë VV nuk u rrit as numri i atyre që do të marrin shujta, nuk u përmirësua as shujta por vetëm u rrit çmimi. Komuna tani më nuk paguan 200 mijë euro për qumështin siç paguanim kur udhëhiqnim ne por tash paguan 700 mijë euro. Si ka mundësi qe për sasinë e njëjtë Komuna të paguajë shumëfish më shumë”, ka thënë Pacolli.

Ajo tha se përmes tenderit zyra e kryetarit ka mundur të parashikonte se sa është çmimi aktual në treg.

“Zyra e kryetarit te Komunës ka pasur mundësi  të shihte vlerën e qumështit në treg me anë të tenderëve me parashikimin e një vlere te përafërt në mënyrë që të shihte se sa përafërsisht shkon çmimi i qumështit. Nuk e dimë si kanë ardhur në përfundim se si vlera është rritur për 300% më shumë”, tha ajo.

Ajo ngriti dyshime edhe për kompaninë e cila është me kapital në Maltë dhe tha se kur Komuna që udhëhiqej nga VV furnizohej me qumësht produktin e ofronte një kompani vendore tani produktin e ofron një kompani e huaj me kapital në Maltë. Ajo njoftoi se Dje prokuroria ka filluar hetimet por këto paqartësi.

Valdrin Ahmeti, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se janë të bindur që këto hetime do të tregojnë atë që VV ka thënë se ky tender për qumështin e ka dëmtuar buxhetin e Komunës.

“Si është e mundur aq sa është vlera e kontratës aq është edhe vlera e ofertuar e kompanisë. Është për të ardhur keq se si Shpend Ahmeti është mundur ta relativizojë këtë çështje por tash përveç para qytetarëve sqarimin duhe ta ta japë edhe para prokurorit”, ka thënë Ahmeti./ZERI