Kërkohet zbardhja e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Kronika January 17, 2019 - 08:27
Lexoni më shumë lajme nga vendi
Image

Ndonëse ka kaluar një vit prej ditës kur në Mitrovicë është vrarë politikani serb Oliver Ivanoviq, ky rast ende nuk është zbardhur. Përderisa Beogradi fajin për moszbulimin e vrasësit të Ivanoviqit e hedh tek institucionet e Kosovës, këta në anën tjetër thonë se Beogradi nuk po bashkëpunon mjaftueshëm me ta, shkruan sot gazeta "Zëri".

Me kurora lulesh dhe me ndezje qirinjsh të mërkurën para selisë së SDS-së në veri të Mitrovicës, në njëvjetorin e vrasjes u përkujtua politikani serb Oliver Ivanoviq. Në po këtë ditë bashkëpartiakët e Ivanoviqit fajësuan institucionet e Kosovës për dështimin në zbardhjen e rastit të vrasjes së tij.

LEXO EDHE: “Ekzili” i fshehtë i Hashim Thaçit

Ksenija Bozhiviq, kryetare e iniciativës qytetare SDP, ka thënë se nuk janë të kënaqur me institucionet e Kosovës, pasi kanë dështuar ta zbardhin rastin e vrasjes së ish-kryetarit Oliver Ivanoviq.

“Me gjashtë fishekë është vrarë fshehurazi, ndërsa sot ne nuk kemi as autorin, as vrasësin. Kemi kërkuar që të zbulohet se kush e ka vrarë, por nuk kemi përgjigje, përveç deklarimeve politike të Prishtinës dhe të Beogradit. Falënderoj ministrin Lajiq, i cili që nga momenti i vrasjes na ka mbështetur”, ka thënë Bozhiviq.

Ndërkohë deri më tani i dyshuari kryesor në këtë rast Milan Radojçiq, sipas raportimeve të mediave, gjendet në Serbi. Njohës të sistemit të drejtësisë në vend thonë se Beogradi nuk është i interesuar të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës, me qëllim që të zbardhet vrasja e politikanit serb. Sipas tyre fajin kryesor për ngecjen në këtë proces e ka vetë politika serbe, e cila po e bllokon këtë proces.

Në njëvjetorin e vrasjes së Ivanoviqit ka reaguar edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell, i cili ka ftuar institucionet e Kosovës të marrin masa drejt zbardhjes së këtij rasti. “Është bërë një vit qëkur Oliver Ivanoviq u vra. Familja e tij meriton drejtësi. Njerëzit meritojnë të jetojnë pa frikë nga dhuna, pavarësisht nga pikëpamjet e tyre politike. Presim që autoritetet e Kosovës do të marrin masa serioze për të siguruar drejtësinë”, ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”.

Hoxha: Bashkëpunimi me Serbinë për Ivanoviqin nuk është më i miri

Sylë Hoxha, prokurori i Prokurorisë Speciale, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se po e trajtojnë me prioritet vrasjen e politikanit serb Ivanoviq, mirëpo sipas tij bashkëpunimin që ata kanë me organet e drejtësisë së Serbisë nuk është më i miri.

“Me organet e Republikës së Serbisë e kemi një bashkëpunim, por jo në nivelin e duhur duke konsideruar se organet kompetente serbe e kanë mundësi nëse e kanë vullnetin të na ndihmojnë në zbardhjen e këtij rasti. Ato çka i deklarojnë udhëheqësit e partive politike serbe ato i kanë për nevoja të veta dhe aspak nuk i ndihmojnë zbardhjes së këtij rasti”, ka thënë Hoxha. 

Ndërkohë sipas tij pavarësisht se rasti nuk është zbardhur, hetimet për këtë rast po zhvillohen intensivisht. 

“Rasti nuk është zbardhur, mirëpo hetimet qëkur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ka marrë këtë rast janë zhvilluar me intensitet të duhur dhe ky rast për ne është me prioritet. Është marrë një numër i konsiderueshëm i deklaratave të dëshmitarëve, janë grumbulluar edhe prova të tjera dhe ende jemi në fazën e grumbullimit të provave”, ka theksuar ai.

Ndërkohë zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë për “Zërin” kanë konfirmuar se Ministria e Drejtësisë i ka marrë dokumentet e hetimeve që janë zhvilluar për vrasjen e Ivanoviqit nga Republika e Serbisë dhe të ato ia ka dërguar Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Rashiq: Akuzat mes Kosovës e Serbisë po e vonojnë procesin

Kurse kryetari i Partisë Demokratike Progresive në Kosovë, Nenad Rashiq, për gazetën “Zëri” ka deklaruar se deklaratat e ndryshme të institucioneve të Kosovës dhe të Beogradit po e vonojnë zbardhjen e rastit të politikanit serb Oliver Ivanoviq. Sipas tij, duhet sa më shpejt t’i jepet epilogu këtij procesi.

“Nuk besoj se institucionet e Kosovës kanë bërë mjaftueshëm për rastin e Ivanoviqit sepse shihet që ka kaluar një vit dhe ende nuk dihen kryesit e veprës së atentatit që ka ndodhur para një viti dhe në anën tjetër ne shohim vetëm spekulime e deklarata të ndryshme që e akuzojnë njëra-tjetrën, ku të dyja institucionet, ajo e Prishtinës dhe ajo e Beogradit po deklarojnë se janë duke tentuar ta zgjidhin rastin e Oliver Ivanoviqit, ndërsa në terren ndodh e kundërta sepse të dyja vendet nuk mund ta bëjnë një korrespodencë normale pa akuzuar njëra-tjetrën për vonimin e procesit”, ka theksuar ai. 

Rashiq vlerëson se institucionet e Kosovës duhet sa më parë ta zbardhin vrasjen e Ivanoviqit, pasi serbët e Kosovës dhe politikanët nuk mund të ndihen të sigurt nëse kjo gjë nuk ndodh.

“Pasi Prishtina e ka mandatin për të zgjidhur rastin duhet të punojë më shumë në këtë drejtim, sepse kjo vrasje e ka një potencial negativ që na fut në pozitë që të gjithë neve si politikanë, por edhe qytetarët e tjerë të Kosovës, të ndihemi të pasigurt qoftë për mendimin politik, qoftë për atë individual. Kosova duhet ta vërtetojë se është e pjekur për një menaxhim të situatës në terren. Rasti po prolongohet dhe nuk po jepet epilogu përfundimtar”, ka thënë ai.

Serbia po e pengon zbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit

Gzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, duke folur për zbardhjen e rastit të Oliver Ivanoviqit ka thënë për “Zërin” se ky proces po pengohet nga Serbia.

“Sa i përket rastit të vrasjes së liderit serb Oliver Ivanoviq në këtë rast fillimisht ishte humbur kohë nga institucionet vendore, kjo për faktin se ky rast fillimisht ishte trajtuar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë e më pastaj kishte kaluar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK). Pra, këtu kemi pasur një humbje të paarsyeshme të kohës. Por në fazën aktuale, sa i përket hetimit të këtij rasti, institucionet e drejtësisë kosovare po hasin në pengesa nga Serbia”, ka thënë ai. 

Duke theksuar se bashkëpunimi me Beogradin është jetësor për zbardhjen e vrasjes së politikanit serb, Shala thotë se politika serbe po e bllokon procesin.

“Siç është raportuar në medie, i dyshuari kryesor në këtë rast Milan Radojçiq gjendet në Serbi. Nga kjo kuptojmë se bashkëpunimi me Beogradin është i një rëndësie të veçantë për hetimin e këtij rasti, por që është vetë politika serbe e cila po e bllokon këtë proces. Kjo për arsye se hetimi dhe vrasja e Ivanoviqit përdoret në deklarime publike për konsum të brendshëm politik dhe shihet qartazi se nuk është vullnet i Beogradit zbardhja e këtij rasti. Me një qasje të tillë institucionet vendore e kanë të pamundur bashkëpunimin me Serbinë”, ka theksuar ai.

Ndërkohë duke i komentuar akuzat e drejtuesve të partive serbe ndaj institucioneve të Kosovës, Shala ka thënë se këto parti do të duhej ta drejtonin gishtin kah mosgatishmëria e Serbisë për të ofruar bashkëpunim. /ZERI