I ftuari nga Gjykata Speciale, për fatin e të cilit nuk po dihet asgjë

Kronika January 16, 2019 - 22:53
Lexo Detajet

Avokati Natal Bullakaj ka folur lidhur me klientin e tij, Remzi Shalën, i cili në Gjykatën e Prizrenit po gjykohet për krime lufte, të cilat pretendohet se i ka kryer gjatë kohës kur ai ishte luftëtar i UÇK-së.

Avokati Bullakaj tha se me ish-komandantin e UÇK-së, i njohur me nofkën “Molla e Kuqe”, nuk ka pasur asnjë kontakt që nga arratisja e tij në muajin dhjetor.

Avokati tha se nuk e di që nga ajo kohë vendndodhjen e Shalës.

Lidhur me rastin gjyqësor në të cilin e mbron, Bullakaj tha se më 8 janar, ditë kur ishte paraparë të mbahej seancë gjyqësore, kishte biseduar me familjarë të Remzi Shalës.

“Të njëjtit më kanë thënë që nuk kemi aspak informata se ku mund të gjendet Remziu”, tha avokati

As bashkëluftëtarët e Remzi Shalës nuk po e dinë ku është strehuar ai.

Natal Bullakaj tha se për shkak të mosparaqitjes së Shalës ai do të heqë dorë nga mbrojtja e tij.

“Arratisja nuk i shërben drejtësisë. Fillimisht më ka dëmtuar mua si avokat i tij, pasi që sa kohë mund dhe punë mori procesi gjyqësor në Prizren, e në përfundim të procesit ai u arratis dhe e  ka dëmtuar procesin. Gjithashtu arratisja e tij e dëmton procesin edhe ndaj bashkëluftëtarëve dhe pengon që UÇK t’i mbrojë vlerat. Ne jemi të interesuar që të mbrohen edhe vlerat e luftës  së UÇK-së”, tha avokati.

I akuzuar për rrëmbimin e Haxhi Përteshit në Duhël të Suharekës gjatë kohës së luftës, Remzi Shala po gjykohej në Gjykatën e Prizrenit.

Në fillim të dhjetorit 2018, ai ka marrë ftesë për t’u intervistuar në Gjykatën Speciale në Hagë.

Por, ish-komandanti i UÇK-së ka njoftuar publikisht se nuk do t’i përgjigjej thirrjes për në Hagë.

Lidhur me këtë çështje, avokati Natal Bullakaj tha se nuk është i autorizuar për ta mbrojtur Remzi Shalën në Gjykatën Speciale, prandaj edhe nuk ka kontaktuar me Dhomat e Specializuara, as edhe për arratisjen e klientit të tij.

Rreth mosparaqitjes së Remzi Shalës në Gjykatën e Prizrenit, gjyqtarja Raima Elezi, që po e gjykon rastin, ka lëshuar urdhër-arrest për sjellje nga Policia.

Sipas avokatit, nëse Policia nuk e gjen të akuzuarin, atëherë Gjykata do të lëshojë urdhër arrest të hapur dhe kudo që të gjendet do të arrestohet dhe me gjasë do t’i caktohet ndonjë masë e sigurisë derisa të marrë fund gjykimi.

Remzi Shala në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” në fund të janarit të vitit 2017 mohoi se ishte i përfshirë në privimin nga liria të Haxhi Përteshit në qershorin e vitit 1998.