Avokati i Cenës thotë se ai u mor më shumë në pyetje për vrasjet e shqiptarëve

Kronika January 16, 2019 - 19:32
Lexo Detajet

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sabahajdin Cena, ditë më parë është marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, në Prishtinë.

Avokati i tij, Mahmut Halimi, ka treguar të mërkurën, në T7, se klienti i tij konsiderohet i dyshuar nga Gjykata Speciale.

Ndaj tij, ky institucion i drejtësisë ka kërkuar të japë informacione, ka bërë të ditur Halimi.

“Ato përpunohen, nëse ka elemente fillon ajo faza e hetimit intensiv, në cilësinë e të pandehurit”, ka sqaruar avokati i Cenës.

Rastet për të cilat janë kërkuar informacione nga Cena, sipas avokatit të tij, përfshijnë më shumë viktima shqiptare, sesa serbe, gjatë luftës.

“Ka viktima, mund të them 10 fish apo 20 fish ka më shumë viktima shqiptare, sesa serbe”, ka deklaruar Halimi.

Ai ka thënë se klienti i tij “është pyetur në mënyrë të përgjithshme, për zhvillimet që kanë ndodhur”.

“Z. Cena ka treguar se ka varrosur me duar të veta mbi 1270, ose rreth 1300 viktima”, ka shtuar Halimi.

“Në mesin e tyre ka pasur edhe serbë. Nuk i ka zgjedhur në mënyrë selektive. Ka pasur respekt për të gjithë”, ka thënë avokati.