Familjarëve të zyrtarëve të vrarë të LDK-së, iu shtohet shpresa nga Gjykata Speciale

Familjarëve të zyrtarëve të vrarë të LDK-së, iu shtohet shpresa nga Gjykata Speciale

Kronika janar 16, 2019 - 16:50
Lexo Detajet

Nisja e punës nga Gjykata Speciale ka shtuar shpresat e familjarëve të vrarë gjatë e pas luftës. Një ditë para përvjetorit të 17’të të vrasjes së ish’deputetit të LDK’së Smajl Hajdaraj, djali i tij, Shpëtimi ka zbuluar  foton e fundit të prindit të tij një javë para vrasjes, duke mos komentuar se a kanë marrë ftesë nga Specialja

 Nesër do të bëhen 17 vite prej kur ish’deputeti i LDK’së, Smajl Hajdaraj ishte vrarë në  një pritë të  organizuar tek shkallët e banesës në të cilën jetonte me familje.

Tash, pas gati dy dekadave, pak dihet për prapavijën e asaj dite janari, e familjarëve u ka mbetur vetëm edhe një shpresë.

Derisa në Hagë po intervistohen edhe personat e parë nga Gjykata Speciale, familjet e të vrarëve, kanë shpresë se më në fund, ata që janë fajtorë  për vrasjet e më të dashurve të tyre do të dalin para drejtësisë, pasi që lajme të mira nuk morën asnjëherë nga drejtësia vendore.

Kjo Gjykatë Speciale, do të  trajtojë  edhe krimet e shumta që kishin ndodhur gjatë e pasluftës, e që ishin kryesisht persona që kishin lidhje të ngushta me LDK’në si dhe anë tarë të saj.

Express gjatë ditës ka biseduar me djalin e ish ‘deputetit të Kuvendit të Kosovës, Smajl Hajdaraj.

Një ditë para përvjetorit të 17’të të vrasjes së prindit të tij, Shpëtim Hajdaraj ka deklaruar se janë duke përcjellë me vëmendje aktivitetet e Speciales.

Shpëtimi ka zbuluar për  edhe fotografinë e babait të tij, që ishte bërë një javë para vrasjes, në janar të vitit 2002, derisa ish ‘deputeti po shkonte në Kuvend.

Fotografia ishte realizuar nga vajza e tij, nga ballkoni i shtëpisë Hajdaraj ku do të vritej në pritë pak ditë më vonë. “Po, jemi duke i përcjellë me vëmendje të madhe , dhe përpos emrave të të ftuarve që janë shfaqë në media , nuk dimë më shumë se për çfarë raste të caktuara po intervistohen”, deklaroi ai, duke shtuar se kjo është edhe shpresa e tyre për zbardhje të atyre rasteve.

“Po, kemi shpresë se do të zbardhen, edhe pse do të merr kohë shtesë siç po shihet. Shpresën e bazoj tek raporti i prokurorit Williamson ku si pjesë e këtij raporti është edhe vrasja e kundërshtarëve politikë  dhe nuk besoj që është cekur rastësisht, por duhet të jetë e bazuar”, shtoi Hajdaraj.

Por, ai nuk ka dashur të komentojë se a kanë marrë ftesë ende për intervistim, apo jo.

“A na ka ftuar ne apo jo Prokuroria Speciale është e parëndësishme në këtë fazë , ajo çka është e rëndësishme është se nëse hapet rasti i Smajl Hajdarajt apo i të tjerëve, familjarët do t'i përgjigjen ftesave , gjithmonë duke kontribuar që të zbardhet e vërteta e vrasjeve me motive politike , plagë që po na shoqëron tash e 17 vite”, deklaroi ai, duke përmendur edhe përvjetorin e nesërm.

“Nesër me 17 janar 2019 bëhen 17 vite që nga vrasja e deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës Smajl Hajdaraj. Pyetja legjitime që duhet të bëjë është: Edhe sa do të vazhdojë kjo marrëzi (padrejtësi) dhe apati? Shoqëria e Shteti ynë po vuan nga kjo pandëshkueshmëri , pasi që urdhërdhënësit mund të jenë duke na udhëhequr. Pa zbulimin dhe ndëshkimin e ekzekutorëve , organizatorëve dhe urdhërdhënësve , kjo shoqëri e ky shtet nuk po mund të ecë përpara”, tha Hajdaraj, duke thënë se nuk do të pranojnë drejtësi gjysmake.

“Nuk do të pranojmë drejtësi gjysmake nëse nuk zbardhet e gjithë e vërteta dhe këto tri hallka të përfshira në krime ( ekzekutorët , organizatorët dhe urdhërdhënësi) të dënohen”, përfundoi ai. Me përfundim të luftës së Kosovës, në vend nuk kishin përfunduar edhe vrasjet, e Shpëtimi për këtë dyshimet e tij kishte thënë se çojnë te Hashim Thaci.

“Një popull , nuk mund ti nënshtrohet një njeriu (si i dyshuari kryesor për vrasjen e kundërshtarëve politik , njëri ndër ta edhe ajo e Smajl Hajdarajt)”, kishte shkruar ai në Facebook.

Në përvjetorin e 16’të, mediumi kishte publikuar letrën e ish’deputetit Hajdaraj një muaj para ekzekutimit, ku fliste për luftën e UÇK-së, çlirimin e Kosovës dhe grupin që pengonte organizimin ushtarak të asaj kohe.

Në një dorëshkrim, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kishte lënë një porosi për, siç shkruan në letër, hierarkinë e UÇK-së, të cilët tashmë janë në krye të shtetit.

Sipas Hajdarajt, qysh atëherë lufta e mirëfilltë është penguar nga një grup i caktuar. Këta udhëheqës UÇK-në e kishin përdorur për të familjarizuar Ushtrinë dhe për interesa personale.

Vrasjet që tronditën Kosovën

Kur flitet për vrasjet që cilësohen të natyrës politike, paslufta kryesisht dominohet me eliminimin e bashkëpunëtorëve të ngushtë të Presidentit Ibrahim Rugova, pjesëtarëve të LDK-së, apo edhe të FARK-ut.

Të gjitha këto atentate edhe gati dy dekada pas kryerjes së tyre kanë mbetur të pazbardhura nga drejtësia.

Ato kishin filluar filluar me vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit, më 21 shtator të vitit 1998, në Tiranë. Ministri i Mbrojtjes i Qeverisë në ekzil u vra në një atentat në mes të kryeqytetit shqiptar. Meqë vrasja u krye jashtë Kosovës, ishin zgjeruar edhe kufijtë e dyshimeve.

Madje, edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, për vrasjen e kolonelit kosovar kishte akuzuar shërbimin sekret të Shqipërisë.

Më 11 janar 1999 në Prishtinë ishte vrarë Enver Maloku, gazetar dhe anëtar i LDK-së. Vrasja e tij ishte kryer para banesës së tij dhe para fëmijëve të tij, në lagjen "Kodra e Diellit". Drejtuesit të Qendrës Informative të Kosovës, që u vra gjatë luftës asnjëherë nuk i janë gjetur atentatorët.

Më 23 nëntor 2001 u vra bashkëpunëtori shumë i afërt i Presidentit Rugova, gazetari dhe publicisti Xhemajl Mustafa. Në vendin e ngjarjes kishte pasur dëshmitarë që kishin thënë se atentatorët kishin ardhur nga shkallët e ndërtesës, para së cilës u vra ai.

Megjithatë, edhe vrasja e Mustafës hyn në ato që nuk u zbardhën asnjëherë.

Më 24 prill 2001 vritet Ismet Rraci, kryetar i Komunës së Klinës e i Degës së LDK-së në Klinë, derisa po kthehej nga puna.

Për këtë vrasje kishte folur edhe Presidenti Rugova, i cili kishte thënë se vrasja e zyrtarit të tij ishte e lidhur me fitoren e LDK-së në vitin 2000.

Në një atentat në tetorin e 2001-s, ishte vrarë gazetari Bekim Kastrati; truproja e presidentit Rugova, Besim Dajaku, ndërsa ishte plagosur ish-deputeti Gani Geci.

Më 17 janar 2002, ishte vrarë edhe deputeti Smajl Hajdaraj. Edhe kjo vrasje, sikur të tjerat, u krye në pritë, para banesës së Hajdarajt, në një errësirë të plotë dhe me ikjen e atentatorëve, që asnjëherë s’janë zbuluar.

Vrasja e tij, ishte kryekëput për motive politike, siç kishin thënë familjarët e tij, përkatësisht djali i ish-deputetit, Shpëtim Hajdaraj.

Më 27 tetor 2002 vritet Ukë Bytyçi kryetar i komunës së Therandës dhe i degës së LDK-së në këtë komunë.

Më 4 janar 2003 vritet në Pejë kolonel Tahir Zemaj, ish-komandant i FARK-ut në rajonin e Dukagjinit. Një vrasje tjetër që kishte tronditur opinionin në Kosovën e pasluftës është ajo e komandant Drinit.

Drini ishte vrarë para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në rrethana misterioze, në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë.

Pas luftës pati edhe anëtar që i shpëtuan atentateve, ku hyn edhe Presidenti Rugova. Ishin provuar të vriteshin, Ismet Arifi, më 3 nëntor 1999; Nezir Gara, i cili pësoi sulm të rëndë fizik, por i shpëtoi vrasjes më 25 shtator 1999; Gani Geci u plagos më 19 tetor 2001.

Vetëm gjatë vitit 2000, u shpëtuan atentateve tre zyrtarë të LDK-së.

Ish-deputeti, Adem Salihaj, i shpëtoi atentatit ndaj tij në qershor të vitit 2000. Dy muaj më vonë u provua të vritej kryetari i tanishëm i Podujevës, Agim Veliu, e më vonë edhe Ejup Visoka.