Dalin para Gjykatës ish-drejtori dhe drejtoresha aktuale e Urbanizmit

Kronika January 16, 2019 - 08:20
Lexo tjera detaje
Image
Aktakuza i ngarkon ish-drejtorin e Urbanizmit në Komunën e Skenderajt Hasan Shalën, si dhe drejtoreshën aktuale të Urbanizmit Sanie Ahmetin, e cila asokohe ishte zyrtare në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Ambientit, për “Keqpërdorim të autoritetit zyrtar” dhe për “Mashtrim”. Të dy ata mohuan aktakuzën, shkruan Gazeta "Zëri".
 
Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Skenderajt Hasan Shala dhe ndaj drejtoreshës aktuale të Urbanizmit Sanie Ahmeti, asokohe zyrtare në këtë drejtori, për “Keqpërdorim të autoritetit zyrtar” dhe për “Mashtrim”. Sipas “Kallxo.com”, Shala dhe Ahmeti kanë dalë para Gjykatës Themelore në Mitrovicës për t’u përgjigjur për veprat që vihen në barrë dhe kanë mohuar në tërësi aktakuzën e ngritur ndaj tyre.
 
Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori i Shtetit, ish-drejtori i Urbanizmit dhe Ambientit në Komunën e Skenderajt, Hasan Shala, akuzohet për “Keqpërdorimi të pozitës ose autoritet zyrtar”, ndërsa Sanie Ahmeti përveç për “Keqpërdorim të pozitës ose autoritet zyrtar” akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim në detyrë”. Të dy ata janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare që është mbajtur në Gjykatën Themelore të Mitrovicës. Prokuroria Themelore në Mitrovicë akuzon Hasan Shalën se në cilësinë e drejtorit të Urbanizimit dhe Mbrojtjes së Ambientit në Komunën e Skenderajt, si dhe Sanie Ahmetin si inxhiniere e arkitekturës në këtë drejtori, se duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar kanë tejkaluar kompetencat e tyre. Sipas akuzës, “ata këtë e kanë bërë me qëllim që të përfitojë dobi pasurore personi tjetër, organizata e biznesit NNSH ‘ILEAA-GR’”. 
 
Ndryshohen pozicionet
 
Në akuzë thuhet se “Sanie Ahmeti si mbikëqyrëse e punimeve të projektit për rregullimin e parkut ‘Te Pishat’ në Skenderaj në shtator të vitit 2011 ka kërkuar nga Zyra e Prokurimit që të bëhet riformatimi, respektivisht ndryshimi i pozicioneve të parapara me kontratën e datës 21 korrik 2011. Kjo ishte nënshkruar në mes Komunës së Skenderajt dhe kompanisë NNSH ‘ILEAA-GR’ për rregullimin e pishave të parkut në Skenderaj në vlerë prej 88.004,00 euro.
 
I akuzuari Hasan Shala, në tetor 2011, ka marrë vendim me anë të së cilit është aprovuar kërkesa, duke ndryshuar kështu pozicionet e punës së rrethojës, të parapara me kontratë, me zëvendësimin e platesë me kube dhe murit mbrojtës për punime në terren ndonëse kompania NNSH ‘ILEAA-GR’ kishte filluar realizimin e punëve sipas kontratës”, thuhet mes tjerash në aktakuzë. Në aktakuzë thuhet gjithashtu se ndryshimi i pozicioneve në paramasë nuk lejohet dhe se implementimi është dashur të bëhet në pajtim me kushtet e përcaktuara me kontratën e nënshkruar dhe asnjë kusht i kontratës nuk duhej ndryshuar pas nënshkrimit të saj.
 
“Me këtë Hasan Shala dhe Sanie Ahmeti kanë kryer veprën ‘Keqpërdorimi i pozitës ose autoritet zyrtar’. Përveç kësaj, Sanie Ahmeti, inxhiniere e arkitekturës në Drejtorinë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit në Komunën e Skenderajt akuzohet edhe për veprën penale ‘Mashtrimi në detyrë”’. 
 
Deklarohen të pafajshëm
 
“Ajo këtë e kishte bërë me prezantimin e rremë të raporteve të datës 12 dhjetor 2011 mbi përfundimin e punëve në rregullimin e parkut ‘Te Pishat’ në Skenderaj, duke cekur se punët janë kryer ashtu siç është paraparë me kontratë”, thuhet mes tjerash në akuzën e ngritur, për të shtuar se akuza thotë “se Sanie Ahmeti këtë e kishte bërë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ose për kompaninë NNSH ‘ILEAA-GR’ në Skenderaj, duke vënë në lajthim personat e autorizuar zyrtarë në kryerjen e pagesave në shumën prej 80.190.00 eurosh, si dhe në shumën prej 7.814.00 eurosh, edhe pse kompania NNSH ‘ILEAA-GR’ nuk i kishte përfunduar punët ashtu siç ishte paraparë me kontratë”.
 
E ndërkaq në seancën fillestare në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Ismet Ujkani, ish-drejtori Shala dhe drejtoresha aktuale e Drejtorisë së Urbanizmit në Skenderaj, Sanie Ahmeti, janë deklaruar të pafajshëm. I akuzuari Hasan Shala ka thënë se nuk e pranon fajësinë dhe se është plotësisht i pastër dhe i pafajshëm. Njëjtë është deklaruar edhe Sanie Ahmeti, e cila në këtë rast akuzohet për dy vepra penale. Pas kësaj, të akuzuarit janë njoftuar nga gjykatësi i rastit, Beqir Halili, se në afat prej 30 ditësh mund të paraqesin kundërshtimet e tyre lidhur me akuzën. Shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet dhe se lidhur me kundërshtimet Gjykata Themelore e Mitrovicës do të vendosë jashtë seancës gjyqësore./ZËRI