Gjendja e rëndë shëndetësore e Sylejman Selimit, ja edhe sa pritet të qëndrojë në spital

Kronika January 13, 2019 - 17:36
Lexo Detajet

Edhe rreth dy javë pritet që të qëndrojë në Klinikën e Otorinolaringologjisë (ORL) në QKUK ish- komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi.

Ai vuan nga marramendja dhe paqëndrueshmëria në lëvizje, të shoqëruara me të vjella. Avokati Tomë Gashi, ka deklaruar se gjendja shëndetësore e klientit të tij ende nuk është përmirësuar. Andaj atij do t’i duhen të paktën edhe dy javë për rikuperim.

Çfarëdo ftese e mundshme që do t’i vije nga Gjykata Speciale, Sylejman Selimit për intervistim gjatë dy javëve të ardhshme ka gjasa të dështojë. Kjo ngase ish-ushëheqësi i UÇK’së, edhe për rreth 14 ditë do të duhet që të qëndrojë nën kujdesin e mjekëve të klinikës së ORL’së  që gjendet në QKUK.

Se Selimi do të qëndrojë edhe për dy javë në këtë klinikë e tha sot avokati Tomë Gashi.

“Gjendja shëndetësore e zotit Selimi është e njëjtë. Ai ende gjendet në trajtim mjekësor. Këto probleme shëndetësore ai i ka pasur edhe para arrestimit, në vitin 2012. Por të njëjtat me intensitet më të lartë i janë shfaqur para një muaji e gjysmë. Kjo gjende do të zgjasë së paku edhe për dy javë. Pastaj do të shohim se si do të vazhdojë”, ka thënë Gashi.

Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, të hënën që e lamë pas, ishte shtrirë në Klinikën e ORL’së pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore.

Drejtori i Klinikës së Otorinolaringologjisë (ORL), Hajdin Thaçi kishte sqaruar se Selimi mund të rrijë 10 ditë i shtrirë.

“Gjendja e zotit Selimi është duke shkuar drejt përmirësimit. Ai këtu te ne ka ardhë në ditën e hënë. Zakonisht në raste të tilla pacientët qëndrojnë për trajtim prej shtatë deri në dhjetë ditë. Ka sindromë vertigjinoze”, ka thënë për Express doktori Thaçi.

 “Ai ka ardhur me simptomat e marramendjes të shoqëruar, paqëndrueshmëri në lëvizje. Ka edhe vjellje. Këto simptoma nevojitet që të trajtohen me terapi e jo intervenime kirurgjike”, ka treguar doktori Hajdin Thaçi.

Ai thotë se momentalisht pacienti i tij, nuk ka nevojë për intervenim kirurgjik.

Ndryshe, si pasojë e problemeve shëndetësore, ish-komandanti i UÇK’së, nuk dihet nëse do të intervistohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Është raportuar se intervistimi i tij ishte planifikuar të bëhej gjatë javës së dytë të janarit.

Ndryshe, Selimit, gjatë kohës sa po shërbente si ambasador në Tiranë, EULEX-i i ngriti aktakuza për krime lufte, në dy rastet e njohura si “Drenica” 1 dhe 2.

Në fund të dy proceseve, ish-komandanti i përgjithshëm i FSK-së u dënua më 14 vjet dënim unik, për të dy rastet, për krime lufte ndaj popullatës civile.

Gjykata Supreme e kishte kthyer në rigjykim rastin “Drenica 1”, rast në të cilin Gjykata e Apelit,  atij ia kishte vërtetuar 6 vjet burgim për “Tortura ndaj civilëve”.

Ndërkohë, Supremja, në shtator të 2018, për të dytën herë Sylejman Selimit ia vërteton dënimin unik prej 7 vjetësh burgim për krime lufte, në "Drenica 2”.