'Luftë të pastër nuk ka'-i ftuari nga Gjykata Speciale flet para shkuarjes në Hagë

Kronika January 06, 2019 - 19:55
Lexo Detajet

Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sabahajdin Cena, i cili është ftuar nga Gjykata Speciale ka thënë se nuk është në dijeni nëse do të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit apo të të dyshuarit nga prokurorët e Specializuar.

Cena, i cili do të intervistohet nga Prokuroria e Specializuar e Kosovës më datë 14 janar të këtij viti, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës ka deklaruar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë.

“Luftë të pastër nuk ka. Çdo luftë ka të këqijat e veta. Mirëpo ne kemi zhvilluar një luftë të drejtë”, ka thënë Sabahajdin Cena, teksa ka treguar se nuk është në dijeni nëse do të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit apo të të dyshuarit, raporton Insajderi.

Vetë Cena ka konfirmuar ftesën nga Gjykata Speciale, përmes një statusi të publikuar në Facebook para rreth dy javësh. Ka thënë se ka pranuar ftesën për t’u intervistuar lidhur me aktivtetitet e tij gjatë kohës sa ka qenë i angazhuar në UÇK.

“E ndiej për obligim qytetar që t’iu informoj se unë kam pranuar ftesë që më datë 14 janar 2019 të paraqitem pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar për t’u intervistuar lidhur me aktivitetin dhe angazhimin tim në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë periudhës së luftës kam qenë pjesë aktive e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë Publike Civile të Zonës Operative të Pashtrikut”, kishte treguar ai.

Tutje, Cena ka njoftuar se do t’i përgjigjej ftesës së Zyrës se Prokurorit të Specializuar.

“Ne besojmë në pastërtinë e luftës tonë çlirimtare dhe vlerat e saja nuk mund të kontestohen nga askush, nuk kemi asnjë arsye që t’i shmangemi organeve të drejtësisë dhe do të jemi në dispozicion të çfarëdo thirrje për të zbardhur të vërtetën”, thuhej ne njoftimin e ish-luftëtarit të UÇK-së nga Rahoveci.