Specialja do të rrisë aktivitetin në vitin 2019

Kronika January 03, 2019 - 12:16
Lexo tjera detaje

Gati dy dekada pas përfundimit të luftës në Kosovë ish-eprorët e UÇK-së do të shkojnë në Hagë me ftesë të Gjykatës Speciale. Pas dhjetë ditësh te selia e kësaj të fundit do të udhëtojnë ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit Rrustem Mustafa dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës Sami Lushtaku. Ndërsa pak ditë më vonë do të intervistohen edhe disa ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, shkruan Gazeta "Zëri".

Ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së Sokol Dobruna, i cili tashmë është intervistuar nga Dhomat e Specializuara në Kosovë, ka thënë për “Zërin” që pas intervistimit nuk i është dhënë një datë se kur duhet të paraqitet përsëri për intervistim.
“Intervistimi (në Kosovë) ka shkuar mirë, përveç asaj, pas përfundimit më kanë thënë që shumë më vonë do të flasim përsëri, por nuk më kanë caktuar datë. Këtë vit do të na thërrasin, e pres ftesën prej tyre”, ka thënë shkurt ai.

Ndërsa Artan Qerkini, i cili është avokat i akredituar nga Gjykata Speciale, për gazetën “Zëri” ka thënë që dërgimi i ftesave të para nga kjo gjykatë është paralajmërim i fillimit të punës së Gjykatës Speciale, e cila sipas tij nuk do të ndalet vetëm me këto ftesa. “Marrja në pyetje e personit të dyshuar është veprimi i fundit hetimor dhe pas kësaj Prokuroria do të vendosë nëse do të pushojë procedurën ose do të ngrejë aktakuzë, varësisht prej rezultatit të procedurës provuese në fazën e hetimeve. Prokuroria thjesht me dërgimin e këtyre ftesave na ka bërë me dije të gjithëve se edhe në vitin 2019 do të vazhdojë me këtë aktivitet”, ka thënë Qerkini.

Mirëpo ai ka theksuar se paraprakisht do të duhej që të sqarohet se në çfarë cilësie janë ftuar personat e parë nga Gjykata Speciale. “Së pari, duhet të sqarohen dilemat që janë krijuar në opinion se në çfarë cilësie janë ftuar personat e parë, në cilësinë e të dyshuarit ose të dëshmitarëve, sepse procedura e të dyshuarit dallon dukshëm prej pozitës procedurale të dëshmitarit, prandaj kjo duhet të sqarohet. Meqenëse nuk i kam parë ftesat nuk mund të them asgjë, mirëpo parimisht kjo çështje duhet të sqarohet, sepse nëse nuk ndodh kjo nuk mund të themi se është duke u zhvilluar një proces i rregullt ligjor”, ka potencuar ai./ZËRI