Gjykata Speciale dërgon ftesa të reja në Kosovë

Kronika January 01, 2019 - 21:02
Lexo tjera detaje

Pas më shumë se tri vitesh votimi nga Kuvendi i Kosovës, Gjykata Speciale në fillim të dhjetorit dërgoi ftesat e para për disa ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ftesa e parë për të cilën edhe raportoi ekskluzivisht Indeksonline erdhi për ish-komandantin e zonës së Llapit, Rrustem Mustafa-Remin, i cili paslufte ishte deputet nga radhët PDK-së në parlamentin e Kosovës, shkruan Indeksonline.

Pas Remit, pasuan ftesat edhe për Sami Lushtakun (Zona Operative e Drenicës), Sokol Dobruna (Gjykata ushtarake e UÇK-së), Nazif Mehmeti (një nga komandantët në Zonën Operative të Llapit), Remzi Shala, (komandant i UÇK-së në Zonën e Pashtrikut, i njohur me pseudonimin “Molla e kuqe”), e disa të tjerë.

Madje, ky i fundit nuk ka pranuar të intervistohet nga Specialja, dhe me të marr ftesën ka ikur nga vendi, duke u bërë thirrje bashkëpartiakëve që as ata mos t’i përgjigjen ftesës.

Gjykata Speciale në një përgjigje për Indeksonline ka thënë se është e njoftuar që disa individë në Kosovë vet apo përmes avokatëve po i njoftojnë mediat për ftesat që kanë marr.

Chris Bennett nga zyra e Gjykatës Speciale duke mos dhënë detaje për ftesat që janë dërguar dhe ato që pritet të vijnë, ka thënë për Indeksonline se ka autorizim të vendos a do të ndërpres apo vazhdoj procedurat ndaj personave të caktuar.

“Bazuar në Ligjin Special mbi Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar, Gjykata ka autoritetin, ndër të tjera, që të kërkojë praninë dhe të marr në pyetje të dyshuarit, viktimat dhe dëshmitarët, të mbledh dhe shqyrtojë informatat dhe provat dhe të marrë vendime për inicimin dhe vazhdimin ose ndërprerjen e procedurës penale”, ka thënë Bennett.

I pyetur se çka ndodh në rastet kur personat i refuzojnë ftesat e Speciales, ai ka bërë të ditur se “Neni 42 i Ligjit Special mbulon çështjen e thirrjeve të dëshmitarëve dhe pasojat kur personi nuk paraqitet”.

Ndonëse ka kohë që nuk u dha lajmi për ftesa të reja ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një gjë e tillë ka ndodhur por pa u bërë publike.

Avokati i njohur, Tomë Gashi në një prononcim për Indeksonline ka thënë se në Kosovë kanë arritur disa ftesa të reja nga Gjykata Speciale e Hagës.

“Po ka ftesa të reja që janë sjellë nga Gjykata Speciale në Hagë. Për dallim nga dy javë më parë, tani më nuk ka ftesa me telefon siç u bënë në fillim por vetëm në formë të shkruar. Ndoshta për shkak të kërkesës sime dhe të ekipit tonë të përbashkët të avokatëve me të cilët unë punoj e që janë Gregor Guy Smith dhe Coollen Rohan që ftesat të dërgohen në formë të shkruar”, ka theksuar Gashi.

Sipas tij, sigurisht se secili duhet të ftohet në cilësi të përcaktuar juridike si i dyshuar apo dëshmitarë dhe jo të japin deklarata sqaruese siç është bërë me disa të intervistuar duke filluar nga Sokol Dobruna.

“Ne si ekip i avokatëve kemi disa klientë për të cilët jemi duke punuar që të i përgatisim për dhënie të deklaratave për Gjykatën Speciale dhe të gjithë janë të dyshuar jo dëshmitarë”, ka përfunduar Gashi.