Festa që u kthye në mort, detaje nga vrasja aksidentale në Gjilan

Kronika January 01, 2019 - 13:11
Lexo detajet

Në orët e para të vitit 2019’të në një familje nga Selvishta e Gjilanit ndodhi një tragjedi. Burri vrau gruan. Dyshimet e para të prokurorisë janë se ngjarja ka ndodhur aksidentalisht, ndërkaq, për Express janë deklaruar se sot do të vendoset për caktim të masës së paraburgimit.

Festa me armë këtë vit mori edhe një person. Rasti tragjik ndodhi mbrëmë në orën 00:30, në një familje nga fshati Selvishtë afër Zhegrës, komuna e Gjilanit.

Dyshimet e para janë se burri ka vrarë aksidentalisht gruan gjatë festimeve, ndërkaq, mësohet se viktima është 62-vjecare.

Nga Prokuroria Themelore në Gjilan kanë thënë për Express se i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërkaq, sot do të vendoset për caktim të masës së paraburgimit.

“Është ndaluar i dyshuari për 48 orë, sot vendoset për caktim të paraburgimit”, u deklarua Liridona Xhelajdini, Zyrtare për Informim, duke shtuar se dyshimet e para janë se ngjarja ka ndodhur nga pakujdesia.

Rastin e ka konfirmuar për Express edhe Policia e Gjilanit.

“Është e vërtetë, ngjarja ka ndodhë mbrëmë, saktësisht në 00:30, në emergjencë është është sjellë një gru pa shenja jete. Hetimet e para thonë se burri i saj aksidentalisht ka shkrep me armë të gjuetisë në drejtim të saj. Gruaja ka ndërruar jetë”, tha Ismet Hashani sot për Gazetën Express.

Burri është ndaluar për 48 orë në Polici, ndërsa trupi i gruas është dërguar për obduksion.

Rasti po cilësohet si “Vrasje nga pakujdesia”.

Detaje shtesë nga komunikata e Policisë lidhur me këtë rast:

Më 01 janar 2019 rreth orës 00:30, Policia e Kosovës , Njësitet e hetimeve rajonale, në Gjilan janë njoftuar  se një person i gjinisë femër ishte sjellë në Qendrën Spitalore Emergjenca në Gjilan pa shenja jete, si pasoj e goditjes nga arma e zjartit. Me të pranuar informatën , është njoftuar prokurori i shtetit dhe së bashku me forenzikën kanë dalë në vendin e ngjarjes në fshatin  Selishtë komuna Gjilan. Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes në bazë të hetimeve preliminare dyshohet se deri tek vrasja kishte ardhur si pasoj e pakujdesisë së të dyshuarit shqiptar shtetas i Kosovës  J. J. (1956) i cili pas ndërrimit të mote moteve kishte dalë para shtëpisë me pushkën e gjuetisë llojit "Hungarian Submacine Gun@,model-53, dhe nga pakujdesia kishte qëlluar bashkëshorten e tij tani të ndjerë Z.J. (1956). E njëjta si pasoj e plagëve te marra nga arma e zjarrit rrugës për në spital kishte ndërruar jetë dhe mjekët kujdestar kishin konstatuar vdekjen e saj. Lidhur më këtë rast me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa i dyshuari pas intervistimit nga hetuesit policor, me urdhër te prokurorit është ndaluar për 48 orë.  Rasti është nën hetime

Raste të tilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën në vendin tonë. Për vetëdijësimin e qytetarëve policia ka lansuar kampanjën “Festo me zemër e jo me armë”