Historia sensacionale e kosovarit që kreu vrasje në Kosovë e Spanjë

Kronika December 20, 2018 - 18:17
Lexo Detajet

Xhemshit Ajvazi në 1993 u vra në prezencë të familjarëve të tij nga Enver Islami. Ky i fundit, pas vrasjes, u arratis për në Spanjë, ku kreu edhe një vrasje të dyfishtë. Tash, po kërkon që dënimi ndaj tij të ulet, pasi ka pranuar fajësinë.

Enver Islami në vitin 1993 u dënua për vrasjen e Xhemshit Ajvazit. Menjëherë pas vrasjes, Islami u arratis për në Spanjë, ku kreu edhe atje vrasje të dyfishtë.

Tek në vitin 2016, Spanja e deportoi atë në Kosovë dhe procesi gjyqësor kundër tij nisi menjëherë në Kosovë. Në 2016, Enver Islami nga Potoku i Podujevës u dënua me 15 vjet burg, por me këtë dënim nuk ishin pajtuar familja e viktimës.

Gjatë gjykimit, Islami pranoi fajësinë se e vrau Xhemshit Ajvazin, por nuk u pajtua me dënimin e shqiptuar për 15 vjet burg.

Tash, Islami u ankua në Kushtetuese, pasi pretendon se iu kanë shkelë të drejtat, mirëpo nuk doli fitimtar as në këtë gjykatë, pasi kërkesa e tij u refuzua. Por, familjarët e viktimës, familja Ajvazi kishin kërkuar të kundërtën, t’i ashpërsohet dënimi Enver Islamit.

Aktgjykimi i Kushtetueses që posedon Express ndaj këtij rasti, tregon arsyet e refuzimit të kërkesës së Enver Islamit për ulje të dënimit dhe për hedhje poshtë të të gjitha aktgjykimeve të mëparshme.

Kundër vendimi të shkallës së parë, kishin dalë familja Ajvazi me ankesë në shkallën e dytë. Ata kërkuan që Enver Islamit t’i shqiptohet dënim më i lartë me burg.

Të njëjtën gjë e bëri edhe Islami në Apel, duke kërkuar që dënimi t’i zvogëlohet, pasi që atij iu kishte shqiptuar dënimi maksimal i paraparë me ligjin në fuqi në kohën e kryerjes së veprës, dhe se Gjykata, sipas tij, nuk e ka marrë parasysh pranimin e fajësisë së tij si rrethanë lehtësuese.

Në janar të 2017’s, Gjykata e Apelit vendosi ta konfirmojë dënimin që ia kishte shqiptuar Gjykata Themelore Enver Islamit, duke i refuzuar kërkesat e të dyja palëve.

Islami, që e pranoi fajësinë për vrasjen e Xhemshit Ajvazit, bëri kërkesë edhe në Gjykatën Supreme që të ndryshohet vendimi mbi sanksionin penal dhe t’i shqiptohet atij një dënim me burgim më i butë. Edhe kjo shkallë e tretë e gjyqësisë, ia refuzoi kërkesën si të pabazuar.

Pasi ia mbyllën derën të gjitha Gjykatat e mëparshme, si mundësi të vetme për t’ia zbritur vitet e dënimit, e pa edhe Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Nga Kushtetuesja, Islami kërkoi që t’i lehtësohet dënimi qe e mori paraprakisht nga Themelorja, dhe të shpallen si të pavlefshme aktgjykimet e konstatuara, duke e kthyer çështjen e tij në rigjykim.

Kështu, Islami kërkoi nga Kushtetuesja që aktgjykimi i Supremes, e cila ia refuzoi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të hidhet poshtë nga kjo gjykatë, por edhe këtu, doli pa sukses.

Në aktvendimin për papranueshmëri të Gjykatës Kushtetuese të datës 14 dhjetor 2018, është vendosur që kërkesa e Enver Islamit të jetë e papranueshme, kjo për faktin se ai nuk ka qartësuar se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar përmes aktgjykimit të Gjykatës Supreme, kështu edhe duke mos i qartësuar faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave kushtetuese.

Në shtator të 2015’s, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte njoftuar se pasi kreu vrasjen më 1993 dhe u arratis në Spanjë, ky shtet e deportoi për në Kosovë.

Themelorja kishte thënë se i pandehuri ka qenë në ndjekje penale nga autoritetet e atëhershme –përkatësisht nga Gjykata e Qarkut në Prokuplje e cila deri në vitin 1999 sipas Vendimit të Kuvendit të Republikës së Serbisë ishte caktuar me kompetencë lëndore dhe territoriale për Komunën e Podujevës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, 23 vite më parë, saktësisht më 28 prill 1993, rreth orës 19:30, në rrugën “Skënderbeu”, nga hakmarrja e paskrupullt Enver Islami e privon nga jeta të ndjerin Xhemshit Ajvazi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Islami kishte shtënë së pakur katër herë nga një armë e paidentifikuar ndërsa njëri nga plumbat e ka qëlluar tani të ndjerin Xhemshit, i cili kishte ndërruar jetë më pas në QKUK në Prishtinë