Kjo komunë e Kosovës ndalon fishekzjarrët, ua lejon vetëm një orë e gjysmë në natën e fundvitit

Kronika December 18, 2018 - 19:19
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Komuna e Drenasit ka ndaluar përdorimin e mjeteve piroteknike dhe shitjen e tyre nga personat e paautorizuar. Ky vendim vjen pasi që në prag të festave të fundvitit, këto produkte janë në sasi të madhe në treg.

Përmes një komunikate, komuna ka bërë të ditur se përjashtim ka vetëm  për datën 31 dhjetor, nga ora 23:00 deri në 00:30.

Ndërsa, tutje ka njoftuar se personat që veprojnë në kundërshtim me këtë vendim, do të gjobiten në shumë prej 100 euro.

‘Pasi që jemi në prag të festave të fund vitit dhe produktet piroteknike/fishekzjarrët janë në sasi të madhe në treg dhe ne duar të konsumatorëve, Drejtoria e Inspeksionit kërkon nga subjektet afariste që zhvillojnë veprimtari të tregtisë, të ndalojnë shitjen e produkteve piroteknike/fishekzjarrëve nga personat e paautorizuar dhe të palicencuar për shitjen e tyre si dhe të miturve nën moshën 18 vjeçare’, thuhet në komunikatë.

Komuna të tjera që kanë marrë këtë vendim janë edhe Prishtina, Rahoveci e Suhareka.

Ky vendim është vjen për arsye se gjatë kohës së festave të fundvitit, përdorimi i mjeteve piroteknike bëhet më i shpeshtë dhe shumë herë ato dijnë të sjellin pasoja, madje edhe fatale.