Mësohet identiteti i personit të vdekur në kasollen që u dogj në Rugovë

Kronika December 18, 2018 - 14:54
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Para dy ditëve, në fshatin Drelaj të Rugovës, një person u gjet i vdekur në një kasolle.

Gazeta Express mëson se Hazir Qorri ishte personi që u gjet i vdekur në kasollen, e cila u dogj derisa policia po kryente hetimet rreth trupit të pajetë.

Dy zyrtarë policorë patrullues janë suspenduar nga detyra, nën dyshimin për trajtim joadekuat të vendit të ngjarjes, nga ku u dogj një kasolle në të cilën ishte trupi i një personi të vdekur.

Ngjarja, sipas policisë ka ndodhur më 16 dhjetor, rreth orës 15:00.

Pasi që policia dhe ekipi mjekësor kanë konstatuar se personi i gjetur është pa shenja jete, e derisa po pritej njësiti i hetimeve, papritmas kasollen e ka kapluar zjarri, për t’u djegur më vonë tërësisht.

Për këtë rast është informuar edhe prokurori i shtetit dhe hetimet e mëtutjeshme, sipas policisë do të bazohen edhe në të gjeturat e ekspertit të zjarreve lidhur me zjarrin e shkaktuar.