Frikësimi i 40 dëshmitarëve mban në paraburgim të dyshuarit për vrasjen e Ivanoviqit

Kronika December 18, 2018 - 08:35
Lexo Detajet
Image

Të paktën 40 dëshmitarë janë dëgjuar deri tash nga prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës Sylë Hoxha, i cili është duke e hetuar rastin e vrasjes së liderit të Iniciativës Qytetare Serbe (SDP), Oliver Ivanoviq. Mundësia e frikësimit ose e ndikimit te këta dëshmitarë dhe të disa të tjerëve që pritet të intervistohen nga Prokuroria ka bërë që Gjykata Themelore në Prishtinë të vazhdojë t’i lërë në paraburgim tre të dyshuarit: Nedelko Spasojeviq, Marko Rosiq dhe Dragisa Markoviq, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Frikësimi ose ndikimi i dëshmitarëve nga tre të dyshuarit për përfshirje në vrasjen e liderit të Iniciativës Qytetare Serbe (SDP) Oliver Ivanoviq ka bërë që Gjykata Themelore në Prishtinë të qëndrojë prapa vendimit të 23 nëntorit, duke aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Nedelko Spasojeviq, Marko Rosiq dhe Dragisa Markoviq.

LEXO EDHE: Largohen të gjithë uzurpatorët e pronave shoqërore

Ky ka qenë edhe arsyetimi kryesor i prokurorit të Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, në seancën dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj tre të dyshuarve. Përveç kësaj, prokurori Hoxha arsyen e kërkesës së tij e ka mbështetur edhe në mungesën e sigurisë në veri të Mitrovicës, gjë që sipas tij rrit edhe më shumë pasigurinë e dëshmitarëve në rast të lirimit të të dyshuarve. Ky arsyetim ka mjaftuar që Gjykata Themelore në Prishtinë të hënën të vazhdojë masën e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve.

Intervistimin e 40 dëshmitarëve, por edhe të personave të tjerë që kanë informacione rreth vrasjes se Ivanoviqit e ka konfirmuar për gazetën “Zëri” prokurori special Sylë Hoxha. “Gjykata Themelore në Prishtinë ka mbajtur seancën dëgjimore pas marrjes së aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës për rivendosje dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve N. S. dhe M. R. për shkak të veprës penale ‘Vrasje e rëndë’ nga Neni 179, par. 3 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës lidhur me nenet 33, par. 2 dhe 34 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe D. M. për shkak të veprës penale ‘Zbulimi i fshehtësisë zyrtare’ nga Neni 433, par. 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka bërë të ditur Gjykata përmes një njoftimi për medie.

Sipas këtij njoftimi, të pandehurve Nedelko Spasojeviq, Marko Rosiq dhe Dragisa Markoviq u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç, nga data 23.11.2018 deri më datën 23.12.2018. Më tutje në njoftim thuhet se Gjykata ka konstatuar se janë përmbushur kriteret ndaj Nenit 187, par. 1, nënpar. 1.1 dhe është përmbushur dyshimi i bazuar se tre të pandehurit kanë kryer veprat penale në bazë të provave. Po ashtu, sipas Gjykatës, përmbushen edhe kushtet e veçanta për caktimin e masës së paraburgimit të parashikuara me Nenin 187, par. 1, nënpar. 1.1, me Nenin 187 par. 1, nënpar. 1.2.1 dhe me Nenin 187, par. 1, nënpar. 1.2.3. Gjykata e Shkallës së Parë po ashtu ka bërë të ditur se palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Vasic: Sjellja e Prokurorisë Speciale përbën vërtet një turp gjyqësor

Ndërkohë, pas përfundimit të seancës dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë mbrojtësi i tre të dyshuarve e ka quajtur turp gjyqësor kërkesën e Prokurorisë për mbajtjen në paraburgim të klientëve të tyre.

Avokati Dejan Vasic, mbrojtës i Dragisa Markovic, ka pohuar se pret që klienti i tij të lirohet, pasi sipas tij nuk ka bazë për vazhdimin e mbajtjes së tij në paraburgim. Mbajtjen në paraburgim të klientit të tij Vasic tha se e ka vënë në dyshim edhe Gjykata e Shkallës së Dytë, e cila e ka kthyer në rivendosje vendimin e 23 nëntorit. “Në seancën e fundit kur Prokuroria kërkoi paraburgim thashë se një kërkesë e tillë ishte një turp dhe atë që mund të përsëris edhe sot, se sjellja e Prokurorisë Speciale përbën vërtet një turp gjyqësor. Ata kërkesën e tyre nuk e plotësuan, as nuk vepruan në përputhje sipas urdhrit të Gjykatës së Apelit. Prokurori Special në sallë pjesërisht me gojë e plotësoi atë kërkesë që mbeti me të vjetrën, për të cilën Gjykata e Apelit tha se nuk ishte ligjërisht e detyrueshme”, është shprehur ai. Edhe mbrojtësit e dy të dyshuarve të tjerë kanë pohuar se në këtë procedurë të përsëritur nuk ka prova që do të ndryshonin gjendjen faktike në lidhje me urdhrin e paraburgimit të tre të dyshuarve.

Më 6 dhjetor Gjykata e Apelit ka kthyer në rivendosje çështjen e caktimit të masës se paraburgimit

Ndryshe, më 6 dhjetor Gjykata e Apelit ka kthyer në rivendosje çështjen e caktimit të masës së paraburgimit në rastin e tre të dyshuarve. Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, Gjykata e Shkallës së Parë nuk ka dhënë arsye të qarta lidhur me faktet vendimtare përkitazi me dyshimin e bazuar së të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat janë duke u hetuar, ashtu siç kërkojnë dispozitat e Nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës. Andaj, sipas Apelit, aktvendimi i Shkallës së Parë është dashur të anulohet, ndërsa në rivendosje Gjykata Themelore duhet t’i kërkojë Prokurorisë që kërkesës për caktimin e paraburgimit t’ia bashkëngjisë të gjitha provat në të cilat thirret ajo e që kanë të bëjnë sidomos me dyshimin e bazuar, ndërsa Gjykata pasi të vlerësojë dhe të paraqesë konkludimet e saja për secilën të marrë vendim për heqjen ose caktimin e masës së paraburgimit, duke dhënë arsye të qarta dhe konkrete për secilën bazë ligjore.

Tre të dyshuarit, Nedelko Spasojeviq, Marko Rosiq dhe Dragisa Markoviq, janë arrestuar më 23 nëntor dhe që nga ajo kohë ata vazhdojnë të mbeten në paraburgim. Nedelko Spasojeviq e Marko Rosiq dyshohen për përfshirje në veprën penale “Vrasje e rëndë”, ndërsa Dragisa Markoviq dyshohet për veprën penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”. Lideri i Iniciativës Qytetare Serbe (SDP), Oliver Ivanoviq, është qëlluar për vdekje në janar të këtij viti pranë zyrës së tij në veri të Mitrovicës./ZERI