Prokuroria Speciale: Gjithçka çfarë është thënë në raportin e Dick Marty-t po hetohet

Kronika December 17, 2018 - 17:42
Lexo Detajet

Tashmë është sekret publik që Presidenti Thaçi është subjekt i hetimeve të Speciales, por zyrtarisht nuk është konfirmuar asnjëherë. Një ditë pasi u raportua në radion suedeze se Thaçi mund të thirret në Hagë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka theksuar për Express se gjithçka e ngritur si dyshim në raportin e Dick Marty-t është duke u hetuar

Hashim Thaçi është emri më i përmendur në raportin e Këshillit të Evropës “për trajtim çnjerëzor dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë”. Ish-lideri politik i UÇK’së gjatë luftës, e shef i Qeverisë së Përkohshme menjëherë pas saj, përmendet 26 herë në këtë raport, mbi bazën e të cilës 16 vite më pas u themeluan të ashtuquajturat Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë.

Ky raport në Kosovë njihet si raporti i Dick Marty-t, pasi ky i fundit, senator zviceran ishte hartues i saj në vitin 2011.

Raporti në fjalë i është cekur Gazetës të hënë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, kur janë pyetur nëse Hashim Thaçi, tash president i Kosovës, është duke u hetuar nga ndonjë prokuror i specializuar në Hagë.

“Zyra e Prokurorit Special është duke e kryer hetimin më gjithëpërfshirës të mundshëm të të gjitha dyshimeve të përmendura në raportin për trajtim çnjerëzor dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë, të publikuar nga Këshillit të Evropian”, ka thënë zëdhënësi i ZPS-së Christopher Bennett.

I njëjti ka thënë se zyra për të cilën ai është i angazhuar si zëdhënës “nuk komenton statusin e hetimeve”, duke iu referuar dyshimeve të mundeshe ndaj Hashim Thaçit.

 Kjo përgjigje e ZPS-së ka ardhur një ditë pasi në një media në Suedi u raportua se ish-drejtori i drejtorisë politike të UÇK-së mund të jetë një nga të ftuarit për intervistim nga Prokuroria e Gjykatës Speciale në Hagë.

“Vetë Presidenti Thaçi është një nga personat që mund të jetë subjekt i Gjykatës në Hagë”, kishte shkruar radioja publike suedeze “Sveriges Radio”.

Vetëm pak orë më pas, ky raportim u ndryshua, duke e hequr Presidentin Thaçi nga artikulli.

Për këtë gjë, Bennett i ZPS-së thonë të jenë në dijeni. 

“Zyra e Prokurorit Special është e njoftuar me raportimet në mediat kosovare për një raport të radios suedeze, e cila vetë i ka cituar mediat kosovare. Zyra e Prokurorit Special nuk mban qëndrim për raportimet e mediave dhe as nuk e komenton statusin e hetimeve”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, Zyra e Presidentit Hashim Thaçit, të hënë gjatë gjithë ditës nuk është përgjigjur në interesimin e gazetës për përfshirjen e të parit të vendit në mesin e atyre që janë subjekt i hetimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar e Hagës për Kosovën.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, janë votuar në Kuvend të Kosovës, në gusht të vitit 2015. Përmes ligjit të veçantë, këto Dhoma të Specializuara u themeluan për të gjykuar disa krime të caktuara të kryera prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, brenda territorit të Kosovës.

Ato u krijuan si pasojë e një raporti të zviceranit Dick Marty, që e paraqiti para Këshillit të Europës në janar të 2011.

Raporti përmban pretendime për krime të rënda, që supozohet t’i ketë kryer UÇK-ja gjatë dhe menjëherë pas luftës së fundit në Kosovës. Të njëjtat supozime u mbështeten edhe në një libër që e kishte shkruar ish-prokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, tri vjet para se Marty ta hartonte raportin.

Në raport, përveç Hashim Thaçit, përmenden edhe ish-drejtuesit tjerë të UÇK-së, si: Kadri Veseli, Azem Syla, Fatmir Limaj , Xhavit Haliti, Shaip Muja e Ramush Haradinaj.

Personazh kryesorë në Raportin e Dick Martyt mbetet Hashim Thaçi. Emri i ish-udhëheqësit politik të UÇK-së figuron në pothuajse secilën prej 30 faqeve të Raportit.

Shtatë vite pas këtij raporti, Zyra e Prokurorit të Specializuar që u krijua si rrjedhojë e tij, së fundi ka nisur të ftojë për intervistimim të dyshuarit e parë që mund të përballën me gjyq në Dhomat e Specializuara. Deri më tani janë konfirmuar tetë të ftuar, në mesin e tyre edhe ish-komandantët: Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa-Remi, Nazif Mehmeti etj., dhe ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së Sokol Doburna.