Mbeten në paraburgim tre të dyshuarit për vrasjen e Ivanoviçit

Kronika December 17, 2018 - 16:48
Lexo Detajet

Tre serbët e dyshuar për përfshirje në vrasjen e liderit  të Iniciativës Qytetare Serbe (SDP), Oliver Ivanoviq në janar të këtij viti mbeten në paraburgim.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të aprovoi sërish kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës  që  Nedelko Spasojeviq, Marko Rosiq  dhe Dragisa Markoviq të vazhdojnë që mbeten në paraburgim deri më 23 dhjetor.

Ky vendim është marrë të hënën nga Gjykata Themelore pas kthimit në rivendosje të vendimit të mëhershëm nga Gjykata e Apelit.

“Gjykata ka konstatuar se janë përmbushur kriteret ndaj nenit 187 par.1 nën par.1.1 dhe është përmbushur dyshimi i bazuar se të pandehurit  N.S, M.R dhe D.M kanë kryer veprat penale në bazë të provave, po ashtu përmbushen edhe kushtet e veçanta për caktimin e masës së paraburgimit të parashikuara me nenin 187 par.1 nën par. 1.1, me nenin 187 par.1 nën par. 1.2.1 dhe me nenin 187 par.1 nën par1.2.3.

Të pandehurit N.S, M.R dhe D.M dyshohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se kanë marr pjesë në vrasjen e të ndjerit O.I”, thuhet në vendimin e  Gjykatës Themelore në Prishtinë, shkruan “Zeri.info”.

Ndërkohë pas përfundimit të seancës dëgjimore, mbrojtësit e tre të dyshuarve e kanë quajtur turp kërkesën e prokurorit të Prokurorisë SPeciale të Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj klientëve të tyre.

Mbrojtësi i të dyshuarit Dragisa Markovic avokati Dejan Vasic,  ka thënë se prokurori special e ka vazhduar të njejtën kërkesë  duke mos e respektuar aktvendimin e Gjyaktës së Apelit.

“Në seancën e fundit kur prokuroria kërkoi paraburgim, thashë se një kërkesë e tillë ishte një turp dhe atë që mund të përsëris edhe sot se sjellja e Prokurorisë Speciale përbën vërtet një turp gjyqësor. Ata kërkesën e tyre nuk e plotësuan as nuk vepruan në përputhje sipas urdhrit të Gjykatës së Apelit. Prokurori Special në sallë pjesërisht me gojë e plotësoi atë kërkesë që mbeti me të vjetrën, për të cilën Gjykata e Apelit tha se nuk ishte ligjërisht e detyrueshme”, është shprehur Vasic.

Ndërkohë më 6 dhjetor Gjykata e Apelit ka kthyer në rivendosje çështjen e caktimit të masës se paraburgimit në rastin e tre të dyshuarve.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të qarta lidhur me faktet vendimtare, përkitazi me dyshimin e bazuar së të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat janë duke u hetuar, ashtu siç kërkojnë dispozitat e nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, shkruan “Zeri.info”

Andaj aktvendimi i shkallës së parë është dashtë të anulohet, ndërsa në rivendosje Gjykata Themelore duhet t’i kërkoj prokurorisë që kërkesës për caktimin e paraburgimit t’ia bashkëngjisë të gjitha provat në të cilat thirret ajo, e që kanë të bëjnë sidomos me dyshimin e bazuar, ndërsa gjykata pasi të vlerësojë dhe të paraqes konkludimet e saja për secilën, të marr vendim për heqjen ose caktimin e masës së paraburgimit, duke dhënë arsye të qarta dhe konkrete për secilën bazë ligjore.

Tre të dyshuarit Nedelko Spasojeviq, Marko Rosiq  dhe Dragisa Markoviq  janë arrestuar më 23 nëntor  dhe që nga ajo kohë ata vazhdojnë të mbeten në paraburgim.

Nedelko Spasojeviq, Marko Rosiq  dyshohen për përfshirje në veprën penale “Vrasje e rëndë” ndërsa  Dragisa Markoviq dyshohet për veprën penale “Zbulim i  fshehtësisë zyrtare”.

Lideri i  Iniciativës Qytetare Serbe (SDP), Oliver Ivanoviq është qëlluar për vdekje në janar të këtij viti afër zyrës së tij në veri të Mitrovicës./ZERI