Flasin familjarët e viktimave të sotme në aksidentin në Ferizaj

Kronika December 16, 2018 - 19:23
Lexoni më shumë lajme nga vendi

Liridon Ibrahimi dhe Elhami Mustafa, që të dy nga Gjilani kanë humbur jetën në aksident trafiku në Ferizaj mëngjesin e së dielës.

Njëri ishte 27 vjeçar dhe tjetri 21 vjeçar nga komuna e Gjilanit.

Sipas familjarëve, dy të rinjtë ishin shokë dhe në orët e para të mëngjesit ishin duke udhëtuar nga Prishtina për në Ferizaj.

Familjarët e viktimave thonë se janë duke e përjetuar rëndë këtë situatë dhe se përpos informacioneve të pakta të marra nga policia e mediat, nuk dinë shumë për aksidentin.

LEXO EDHE: Aksident me fatalitet në Ferizaj, 2 të vdekur

Familjarët e viktimave kanë një mesazh për të gjithë të rinjtë.

Pa dashur të flasë para kamerës, një dëshmitar ka treguar se të dy personat nuk kanë vdekur në vendin e ngjarjes dhe se ai ua ka dhënë ndihmën e parë dhe menjëherë ka lajmëruar të gjitha institucionet emergjente.

Ndërkaq, nga Policia kanë thënë se me urdhër të Prokurorit, trupat e viktimave janë dërguar për obduksion dhe se ata janë duke hetuar rastin në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit.

“Ngasësi i veturës Opel Tigra, me targa vendore (E.M. 27-vjeçar) duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës, ka humbur kontrollin dhe ka goditur një shtyllë, me ç’rast vozitësi dhe pasagjeri (21-vjeçar), sipas mjekëve, kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Si pasojë, ngasësi i veturës ka ndërruar jetë në Emergjencën e Ferizajt, kurse pasagjeri është dërguar në QKUK dhe pas një kohe, i njëjti ka vdekur”, thuhet në përgjigjen nga Zyra për media e Policisë së Kosovës.

Aksidenti ka ndodhur në orën 04:00 të mëngjesit të së dielës në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj.