Miftaraj: Specialja po e përgatit opinion për thirrjen e zyrtarëve të lartë

Kronika December 13, 2018 - 10:41
Lexo tjera detaje

Vetëm në “valën e parë” të ftesave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në kuadër të Gjykatës Speciale, janë përfshirë të paktën 13 ish-anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përveç ftesave tashmë të konfirmuara për Rrustem Mustafën, Sami Lushtakun, Sokol Dobrunën, Nazif Mehmetin, Remzi Shalën e Safet Sylën, gazeta “Zëri” merr vesh se ftesa ka edhe për të paktën shtatë ish-pjesëtarë tjerë, në mesin e tyre edhe ish-komandantë të UÇK-së, shkruan Gazeta "Zëri".

Për këtë çështje drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se fakti që Zyra e Prokurorit të Specializuar ka zgjedhur mënyrat e komunikimit me personat që ftohen nga kjo Zyre qoftë në mënyrë verbale ose edhe me letërthirrje, ku nuk saktësohet nëse ata janë ftuar si dëshmitarë ose si të pandehur mundëson për keqkuptime dhe për keqinterpretime të shumta. Ai ka thënë se kjo është strategji për ta përgatitur opinionin që në të ardhmen të ftohen edhe zyrtarët e lartë shtetërorë.

LEXO EDHE: Mbi dhjetë ftesa nga Specialja

“Strategjia e Prokurorisë si duket është të përgatisë opinionin publik përmes ftesave për persona të nivelit më të ulët sa i përket statusit të tyre aktual, qoftë në skenën politike ose të sigurisë në Kosovë. Sigurisht me mundësinë e hapur që në të ardhmen të ftohen edhe zyrtarë të lartë shtetërorë, të cilët sot ushtrojnë funksione publike, gjithmonë me kusht që Prokuroria të ketë fakte dhe dëshmi që bazojnë dyshimet e ngritura”, ka vlerësuar Miftaraj.

Ai më tej ka kritikuar mënyrën se si u janë dërguar ftesat për intervistim disa prej ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Sipas tij, ligji i aplikueshëm në Kosovë, por edhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktika e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut i kushtojnë rëndësi të jashtëzakonshme mbrojtjes dhe sigurisë juridike të personave që mund të jenë subjekt të procedurave penale. Prandaj sipas tij, në këtë drejtim mënyra se si ka filluar punën Gjykata Speciale mund të perceptohet në publik si mënyrë e gabuar dhe e cila cenon rëndë sigurinë juridike e parimin për një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm.  “Përderisa ftesat verbale ose letërthirrjet duke mos cilësuar statusin e personave të ftuar do të ishin ‘normale’ për një shtet me mungesë të demokracisë dhe që injoron standardet e parimet ndërkombëtare ajo nuk do të duhej të ndodhte në praktikë nga Gjykata Speciale, pasi një qasje e tillë qysh në fillim zbeh besueshmërinë e publikut në këtë institucion”, është shprehur Miftaraj.

Ai në fund ka folur edhe për afatet kohore se kur mund të ngrihen aktakuzat e para në kuadër të Gjykatës Speciale. “Me vetë faktin që tanimë ka filluar intervistimi i personave të caktuar, çdo rast është individual dhe varet nga fakti se në çfarë stadi të hetimit janë nga ana e Prokurorisë. Sa u përket afateve kohore, Prokuroria mund të shfrytëzojë kohën që ia lejon ligji i aplikueshëm në Kosovë që mund të shkojë edhe deri në dy vjet nga koha kur është marrë aktvendimi për fillimin e hetimeve e në rastet kur ka dëshmi dhe prova Prokuroria, ajo mund të ngrejë aktakuza menjëherë”, ka përfunduar ai./ZËRI