Mbi dhjetë ftesa nga Specialja

Kronika December 13, 2018 - 07:57
Lexo tjera detaje
Image
Image

Vetëm në “valën e parë” të ftesave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në kuadër të Gjykatës Speciale, janë përfshirë të paktën 13 ish-anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përveç ftesave tashmë të konfirmuara për Rrustem Mustafën, Sami Lushtakun, Sokol Dobrunën, Nazif Mehmetin, Remzi Shalën e Safet Sylën, gazeta “Zëri” merr vesh se ftesa ka edhe për të paktën shtatë ish-pjesëtarë tjerë, në mesin e tyre edhe ish-komandantë të UÇK-së, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Tashmë janë konfirmuar ftesat për intervistim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në kuadër të Gjykatës Speciale, për disa ish-komandantë dhe pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë: Rrustem Mustafën, Sami Lushtakun, Sokol Dobrunën, Nazif Mehmetin, Remzi Shalën dhe Safet Sylën. Ndërkohë burime të gazetës “Zëri” thonë se ftesat u janë dërguar ose do t’u dërgohen në ditët në vijim edhe disa ish-zyrtarëve tjerë të UÇK-së, emra të njohur për redaksinë, por pasi gazeta nuk ka mundur ta sigurojë konfirmimin zyrtar po i paraqesim vetëm me iniciale: I.H., S.G., S.M., S.S., R.A., XH.K. dhe S.J.

Gazeta “Zëri” gjatë ditës së djeshme ka kontaktuar familjarët dhe avokatët e disa prej tyre, por të cilët ose kanë refuzuar të flasin, ose kanë thënë se nuk kanë informata.

Konfirmimi i këtyre ftesave është kërkuar edhe nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, megjithatë zëdhënësi i kësaj Zyre Chris Bennett ka thënë se nuk mund të komentojë këtë çështje. “Zyra e Prokurorit Specialist nuk jep informacion për statusin e hetimeve. Kjo bëhet për arsye profesionale, ligjore dhe etike. Prandaj nuk mund të komentoj”, thuhet në përgjigjen e Bennett.

Ndërkohë avokatë dhe njohës të çështjeve të drejtësisë thonë se Gjykata Speciale është duke e përgatitur opinionin për thirrjen për intervistim të zyrtarëve të lartë.

Gashi: Kam informata, por nuk i bëj publike pa i marr ftesat me shkrim

Avokati Tomë Gashi ka thënë për gazetën “Zëri” se ka informata për personat, të cilëve u janë dërguar ftesat nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, porse nuk i bën publike ato pa i marr ftesat me shkrim. “Unë kam informata, por nuk dua t’i bëj publike derisa të marr ftesën me shkrim e jo me thirrje telefonike ose në ‘Whats up’ a ‘Viber’, siç preferojnë prokurorët e Hagës”, është shprehur Gashi.

Ai më tej ka thënë se vetëm ftesa me shkrim dhe në afat të duhur është ftesë ligjore, e cila po ashtu duhet të ketë të bashkangjitur dokumentacionin përkatës për çka dhe në çfarë cilësie merret në pyetje personi që ftohet nga kjo Zyrë. “Unë punoj me dy avokatë amerikanë, Gregor Guy Smith dhe Colleen Rohan. Kemi zyrë në Hagë e në Prishtinë dhe jemi të kontaktuar nga disa VIP, klientë potencialë, emrat nuk i bëjmë publikë pa shkresa zyrtare nga Haga”, ka shtuar Gashi.

Miftaraj: Specialja po e përgatit opinion për thirrjen e zyrtarëve të lartë

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se fakti që Zyra e Prokurorit të Specializuar ka zgjedhur mënyrat e komunikimit me personat që ftohen nga kjo Zyre qoftë në mënyrë verbale ose edhe me letërthirrje, ku nuk saktësohet nëse ata janë ftuar si dëshmitarë ose si të pandehur mundëson për keqkuptime dhe për keqinterpretime të shumta. Ai ka thënë se kjo është strategji për ta përgatitur opinionin që në të ardhmen të ftohen edhe zyrtarët e lartë shtetërorë. “Strategjia e Prokurorisë si duket është të përgatisë opinionin publik përmes ftesave për persona të nivelit më të ulët sa i përket statusit të tyre aktual, qoftë në skenën politike ose të sigurisë në Kosovë. Sigurisht me mundësinë e hapur që në të ardhmen të ftohen edhe zyrtarë të lartë shtetërorë, të cilët sot ushtrojnë funksione publike, gjithmonë me kusht që Prokuroria të ketë fakte dhe dëshmi që bazojnë dyshimet e ngritura”, ka vlerësuar Miftaraj.

Ai më tej ka kritikuar mënyrën se si u janë dërguar ftesat për intervistim disa prej ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Sipas tij, ligji i aplikueshëm në Kosovë, por edhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktika e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut i kushtojnë rëndësi të jashtëzakonshme mbrojtjes dhe sigurisë juridike të personave që mund të jenë subjekt të procedurave penale. Prandaj sipas tij, në këtë drejtim mënyra se si ka filluar punën Gjykata Speciale mund të perceptohet në publik si mënyrë e gabuar dhe e cila cenon rëndë sigurinë juridike e parimin për një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm.  “Përderisa ftesat verbale ose letërthirrjet duke mos cilësuar statusin e personave të ftuar do të ishin ‘normale’ për një shtet me mungesë të demokracisë dhe që injoron standardet e parimet ndërkombëtare ajo nuk do të duhej të ndodhte në praktikë nga Gjykata Speciale, pasi një qasje e tillë qysh në fillim zbeh besueshmërinë e publikut në këtë institucion”, është shprehur Miftaraj.

Ai në fund ka folur edhe për afatet kohore se kur mund të ngrihen aktakuzat e para në kuadër të Gjykatës Speciale. “Me vetë faktin që tanimë ka filluar intervistimi i personave të caktuar, çdo rast është individual dhe varet nga fakti se në çfarë stadi të hetimit janë nga ana e Prokurorisë. Sa u përket afateve kohore, Prokuroria mund të shfrytëzojë kohën që ia lejon ligji i aplikueshëm në Kosovë që mund të shkojë edhe deri në dy vjet nga koha kur është marrë aktvendimi për fillimin e hetimeve e në rastet kur ka dëshmi dhe prova Prokuroria, ajo mund të ngrejë aktakuza menjëherë”, ka përfunduar ai.

Avokatët kërkojnë sqarime nga Zyra e Prokurorit të Specializuar

Mbrojtja e ish-komandantit të UÇK-së Nazif Mehmeti, i njohur si komandant “Dini”, i cili është ftuar në intervistë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, është në pritje të sqarimit të cilësisë së intervistimit dhe të vendit ku do të bëhet intervistimi.

Mbrojtësi i Nazif Mehmetit, avokati Tahir Rrecaj, ka pohuar se menjëherë pas angazhimit të tij si mbrojtës i komandant “Dinit” ka kërkuar nga Prokurori i Specializuar më shumë detaje rreth kësaj ftese. “Ua kam dërguar një e-mail, ku kam kërkuar sqarime rreth cilësisë së ftesës dhe rreth vendit ku ka për t’u intervistuar, mirëpo ende nuk kam marrë ndonjë përgjigje”, ka thënë Rrecaj.

Se kush mund të jenë të ftuarit e radhës nga Prokuroi i Specializuar, Rrecaj nuk ka dashur të komentojë.

Derisa avokati Rrecaj ka kërkuar më shumë sqarime nga Zyra e Prokurorit të Specializuar rreth ftesës për intervistim të klientit të tij, avokati Arianit Koci pohon se ftesat për klientët e tij janë në rregull.

Koci është angazhuar si mbrojtës i ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafës – “Remi”, dhe ish-komandantit të  Zonës së Drenicës Sami Lushtakut.

Ai ka bërë të ditur për “Zërin” se ftesat ndaj Mustafës dhe Lushtakut janë dorëzuar në formë të shkruar dhe aty është saktësuar edhe cilësia, edhe data e intervistimit. “Sa u përket klientëve të mi, ftesat nga Zyra e Prokurorit të Specializuar janë dorëzuar sipas ligjit. Çdo gjë ka qenë në rregull. Ftesat e dorëzuara janë në formë të shkruar dhe në të është specifikuar cilësia dhe data e intervistimit”, ka thënë avokati Koci.

Ai më tej ka thënë se këto ftesa i ka verifikuar edhe përmes kontaktimit me zyrtarët kompetentë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe të Dhomave të Specializuara. “Unë personalisht kam ndërmarrë edhe masa shtesë për t’i verifikuar ftesat dhe kam komunikuar me personat kompetentë të Prokurorisë dhe të Gjykatës”, është shprehur Koci.

Shala i ikën Speciales

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Remzi Shala, i njohur me nofkën “Molla e Kuqe”, pas ftesës që ka marrë nga Gjykata Speciale është larguar nga shtëpia e tij në fshatin Shirokë të Suharekës drejt një lokacion të panjohur.

Ekipi i gazetës “Zëri” ka shkuar te shtëpia e tij dhe familjarë e fqinjë kanë konfirmuar se ai është larguar nga vendbanimi dhe se nuk dihet se ku ndodhet tani.

Në anën tjetër avokati i Shalës, Natal Bullakaj, ka thënë për “Zërin” se as ai nuk ka ndonjë informacion se ku ndodhet. Ai po ashtu ka treguar se nuk ka më kontakte me ish-pjesëtarin e UÇK-së nga dita e publikimit të ftesës nga Specialja.

Kujtojmë se Remzi Shala të martën ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale, por ka pranuar që nuk do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës./ZËRi