Gjykata ua dërgon aktakuzën 12 të akuzuarve në rastin e 'Veteranëve'

Kronika December 12, 2018 - 11:51
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dorëzuar aktakuzat palëve të përfshira në aktakuzë nga Prokuroria Speciale  e Kosovës për fryrje të listave të veteranëve, e njohur për publikun si rasti i “Veteranëve”, shkruan Zëri. 

Të Martën 12 ish-krerët e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve, Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari kanë pranuar aktakuzat e dërguara nga gjykata.

Lajmin për “Zëri’ e ka bërë të ditur ish-anëtari i këtij komisioni, Nuredin Lushtaku.

Mirëpo, Lushtaku thotë se ende nuk ka pranuar  ftesën për paraqitje në gjykatë.

“E kam marrë një farë akuze  që kanë bërë ndryshime,  ma kanë sjell dje aty që as s’e kam shikuar, a ftesën s’ma kanë sjell ende”, u shpreh Lushtaku

Mirëpo duket se 30 ditë kohë të caktuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës nuk po i mjaftojnë Prokurorisë Speciale të Kosovës për përmirësimin dhe plotësimin  e aktakuzës ndaj 12 ish-krerëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve, Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari.

Javën e kaluar prokuroria kishte dorëzuar aktakuzën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas përmirësimit dhe qartësimit që ishin kërkuar nga gjykata.

Gjykata Themelore në Prishtinë  më 10 tetor të këtij viti kishte kthyer në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës aktakuzën për përmirësim dhe qartësim.

Në këtë vendim gjykata ka dhënë afat 30 ditë Prokurorisë Speciale që të bëje përmirësimin dhe qartësimin e aktakuzës në rastin “Veteranët” . Sipas njoftimit nga Gjykata,  kthimi i aktakuzës në prokurori është bërë për shkak se e njëjta nuk është përpiluar konfrom nenit 241 paragrafi 1 pika 1.4 të KPP-së.  Po ashtu  gjykata kishte bërë të ditur arsyet lidhur me anulimin e seancës dëgjimore për shqyrtimin e masës së përkohshme për sigurimin e kërkesës pasurore juridike, shkruan më tutje Zëri. 

Arsyeja e kthimit të aktakuzës sipas kryetares së Trupit Gjykues, Nushe Kuka-Mekaj bie për shkak se dispozitivi i aktakuzës në pjesën e përshkrimit faktik të veprës penale është konfuz dhe si i tillë nuk lejon mundësimin e procedimit të drejtë pa zvarritje e pengesa të shumta të këtij procesi.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës  më 14 shtator të këtij viti ka ngritur aktakuzë kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “VETERANËT” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë, prokurori i Prokurorisë Speciale Afrim Shefkiu kishte  propozuar që gjykata të lëshojë masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale. /ZERI